Ekipi I CNN ka realizuar një reportazh në disa prej fshatrave të çliruara të Ukrainës, ndërsa shoqëroi një ekip hetuesish ukrainas.
Një oficer policie dhe një prokuror shkojnë derë më derë në rajonin Kherson të Ukrainës për të vizituar banorët.
Deri në fillim të tetorit, kjo zonë e vendit ishte e pushtuar nga trupat ruse. Makinat e djegura mbushin arat. Shkronja “Z” – një simbol i përdorur nga forcat ruse gjendet në muret e banesave, sipas CNN.
Rusia ka përdorur dhunën seksuale si një “armë lufte”, një “strategji ushtarake” e qëllimshme – në pushtimin e Ukrainës, kanë thënë hetuesit e Kombeve të Bashkuara. Ata madje kanë transmetuar akuza se ushtarët rusë mbanin Viagra.
Autoritetet ruse kanë mohuar akuzat për krime lufte në Ukrainë, por plagët e luftës janë të thella në këtë zonë.
Në dy javë punë në rajonin Kherson, ekipi nga Kievi ka dokumentuar gjashtë akuza për dhunë seksuale. Numri real është me siguri shumë më i lartë, thonë ata.
Tatiana, 56 vjeç, thotë se ajo është një nga viktimat. CNN nuk e ka publikuar mbiemrin e saj dhe atë të fshatit për të mbrojtur identitetin.
Duke ecur mbi xhamin e thyer, ajo na tregon në shtëpinë e vëllait të saj, ku thotë se dy ushtarë rusë hynë me forcë në shtëpinë e saj më 26 gusht.
“Ata shëtisnin nëpër dhoma“, thotë ajo.
“Njëri qëndroi aty dhe tjetri më përdhunoi, hyri këtu. Ai hyri, eci pak nëpër dhomë dhe këtu në këtë vend, filloi të më prekte. I thashë Jo, jo, nuk jam në moshën që mund të të jap diçka, kërko vajza më të reja”, rrëfen Tatiana.
Ai e lidhi atë në gardërobë, thotë ajo, dhe ia grisi rrobat.
“Po qaja, duke i lutur të ndalonte, por pa sukses. Mendimi i vetëm që kisha ishte të qëndroja gjallë.”
Ai e paralajmëroi të mos i tregonte askujt, kujton ajo.
“Nuk i thashë burrit tim menjëherë“, thotë ajo e përlotur.
“Por unë i thashë kushëririt tim dhe burri im dëgjoi. Ai tha: ‘Duhet të më kishe thënë të vërtetën, por heshte’”.
“Më vinte shumë turp”, thotë ajo. “Uroj që ai dhe të gjithë të afërmit e tij të kishin vdekur.”
Ajo thotë se u përball me komandantin e ushtarit rus.
“Komandanti i tij gjeti kreun e njësisë. Ai erdhi të më takonte dhe më tha: ‘E kam dënuar rëndë, i kam thyer nofullën, por dënimi më i rëndë është rrugës’. Komandanti më pyeti: ‘A të shqetëson kjo?’ Unë i thashë, ‘Nuk më shqetëson, do të doja që të gjithë të pushkatoheshin’”.
Edhe pse prokurori Kleshchenko dhe oficeri i policisë Oleksandr Svidro po kërkojnë posaçërisht prova të krimeve seksuale, kudo që shkojnë ata përballen me tmerret e pushtimit.
Në këto fshatra të çliruara, pothuajse çdo objekt është dëmtuar nga lufta. Shumë shtëpi u shndërruan në gërmadha.
Në ndalesën e tyre të parë në ditën kur CNN shoqëroi hetuesit, në Bila Krynytsya, një turmë në pritje të fletëve ushqimore rrethoi prokurorin.
Ata bërtisnin se janë braktisur prej muajsh, pa asnjë ndihmë as nga Rusia, as nga Ukraina.
“A ia raportuat [dëmtimin] dikujt?” pyet prokurori. “Kujt do t’ia raportonim?” përgjigjet një burrë në turmë.
Një burrë në turmë u thotë hetuesve se ai u mbajt nga ushtarë rusë.
Është e vështirë të dëgjosh tregimet e torturave nga rusët.
Pavarësisht pakënaqësisë së këtyre banorëve, kundërofensiva e Ukrainës në këtë pjesë të vendit ka nxitur shpresat se fitorja mund të jetë realisht e mundur, ose të paktën që Kievi mund të çlirojë qytetet kryesore të kontrolluara nga Rusia, si Kherson.
Duke filluar ngadalë në fund të verës, dhe më pas në masë të madhe në fillim të tetorit, forcat ukrainase kanë rifituar qindra kilometra katrorë të territorit që Rusia mbante që nga ditët e para të pushtimit të saj në shkallë të plotë.
Një udhëtim i shkurtër nëpër rrugë të mbushura me bombardime, në Tverdomedove, një nënë dhe bijë i thonë Kleshchenkos se nuk kanë dëgjuar për ndonjë krim seksual në fshatin e tyre me një rrugë.
Fqinja e tyre, 71-vjeçarja Vera Lapushnyak, qan gjithë kohës. “Rusët ishin të sjellshëm kur mbërritën për herë të parë“, thotë ajo.
“Ata thanë se erdhën për të na mbrojtur,” kujton ajo. “Por nga kush, pse, nuk e dinim.”
Ajo ishte e ve më shumë se 30 vjet më parë – thotë se i shoqi i vdiq në një aksident me motor – dhe djali i saj iu bashkua ushtrisë menjëherë pas pushtimit të Rusisë më 24 shkurt.
Ajo vendosi të largohej, thotë ajo, rreth tre muaj pasi trupat ruse pushtuan fshatin e saj . Muaj më vonë, pasi ushtria ukrainase çliroi fshatin e saj, ajo u kthye.
“Nuk e di ku të fle tani”, thotë ajo e përlotur. “Nuk ka dritare apo dyer”.
Tavani i dhomës së saj të gjumit është shembur plotësisht. Ajo e ka zhvendosur shtratin e saj në dhomën e vetme që ka ende një dritare të paprekur.
“Nuk e di ku ta vendos që (tavani) të mos më bjerë mbi kokë”, thotë ajo.
“Nëse do të binte dhe do të më vriste, do të ishte më mirë, kështu që nuk do të vuaj. Por unë dua ta shoh përsëri djalin tim.”
Ndërsa dielli perëndon në fund të një dite të gjatë, ekipi me dy persona mbërrin në Novovoznesens’ke, një fshat ku ata kanë zbuluar dy raste të tjera përdhunimi, sipas tyre nga ushtarë rusë. Të nesërmen, ata u kthyen në Kiev, për të paraqitur gjetjet e tyre.
Natyrisht, shumë nga këto pretendime do të mund të vërtetohen, shumë prej tyre nuk kanë të dyshuar. Për momentin, ekipi paraqet raportet dhe hetuesit nisin punën duke shpresuar se do të mund të ngrenë akuza në të ardhmen.
Kombet e Bashkuara thonë se kanë hetuar rastet në Ukrainë të “dhunës seksuale dhe me bazë gjinore” ndaj njerëzve nga mosha 4 deri në 82 vjeç. Sipas OKB-së, që nga shtatori, 43 çështje penale ishin iniciuar .
Oficeri i policisë, Svidro, thotë se shumica e rasteve të dhunës seksuale janë të paraportuara.
“Është e vështirë psikologjikisht”, thotë ai. “Ju e kuptoni se çdo person është i shqetësuar, por kjo është punë e rëndësishme.”
Top Channel