Zjarri vdekjeprurës në rrokaqiejt në Hong Kong, disa drejtues kompanish përfundojnë para drejtësisë

10/06/2026 17:03

Autoritetet në Hong Kong kanë ngritur akuza për vrasje të paqëllimshme ndaj disa personave dhe kompanive në kuadër të hetimeve për zjarrin tragjik që përfshiu një kompleks banimi në nëntor të vitit të kaluar, duke shkaktuar vdekjen e 168 personave.

Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, drejtues të një kompanie ndërtimi, përfaqësues të një firme konsulence dhe një studiues që kishin lidhje me punimet e rinovimit në kompleksin e apartamenteve Wang Fuk Court po përballen me akuza për vrasje të paqëllimshme së bashku me kompanitë që përfaqësojnë.

Hetimi ka zbuluar gjithashtu dyshime për shkelje të tjera ligjore. Shtatë të pandehur janë akuzuar jo vetëm për përgjegjësi në tragjedinë e zjarrit, por edhe për pastrim parash dhe mashtrim tatimor. Të akuzuarit u paraqitën para gjykatës dhe deklaruan se i kuptojnë akuzat e ngritura ndaj tyre. Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet në muajin shtator.

Një zëdhënës i policisë së Hong Kongut bëri të ditur se deri tani janë arrestuar 35 persona në lidhje me çështjen. Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Independent Commission Against Corruption, agjencinë e pavarur kundër korrupsionit në Hong Kong.

Zjarri shpërtheu më 26 nëntor në kompleksin rezidencial Wang Fuk Court, në lagjen veriore Tai Po, dhe u përhap me shpejtësi në shumicën e ndërtesave të kompleksit. Flakët shkatërruan shtatë nga tetë kullat e apartamenteve, duke shkaktuar një nga tragjeditë më të mëdha në historinë moderne të qytetit.

Ngjarja konsiderohet zjarri më vdekjeprurës në Hong Kong që nga viti 1948 dhe një nga katastrofat më të rënda në ndërtesa banimi në nivel global gjatë dekadave të fundit.

Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë nëse punimet e rinovimit, shkeljet e mundshme të standardeve të sigurisë apo neglizhenca profesionale kanë luajtur rol në përhapjen e flakëve dhe humbjen e jetëve njerëzore. Hetimet vazhdojnë, ndërsa familjet e viktimave kërkojnë drejtësi dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në tragjedinë me 168 të vdekur.

Top Channel