Sulmi amerikan ndaj cisternës pranë Omanit, konfirmohen të vdekur tre marinarë indianë

11/06/2026 09:50

Tre marinarë indianë të raportuar fillimisht si të zhdukur janë konfirmuar të vdekur pas sulmit të ushtrisë amerikane ndaj një anijeje cisternë pranë brigjeve të Omanit.

Lajmi u bë i ditur nga ministri indian i Transportit Detar, Sarbananda Sonowal, i cili shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave.

Ngjarja ndodhi pasi ushtria amerikane njoftoi se kishte goditur me “municione precize” dhomën e motorëve të anijes cisternë M/T Settebello, me flamur të Palaut. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, anija po transportonte naftë iraniane dhe po përpiqej të thyente bllokadën detare amerikane ndaj porteve iraniane.

Sipas autoriteteve amerikane, ekuipazhi ishte paralajmëruar përpara ndërhyrjes ushtarake. Ministria e Jashtme e Indisë deklaroi një ditë më parë se tre shtetas indianë rezultonin të zhdukur pas sulmit, ndërsa 21 anëtarë të tjerë të ekuipazhit u shpëtuan. Në reagimin e saj zyrtar, Nju Delhi nuk përmendi ushtrinë amerikane dhe as pretendimet për shkeljen e bllokadës.

M/T Settebello është anija e tetë tregtare që, sipas autoriteteve amerikane, është neutralizuar nga forcat e SHBA-së në ujërat pranë Iranit që nga përshkallëzimi i tensioneve në rajon.

Ngjarja pritet të shtojë presionin diplomatik mbi konfliktin në Lindjen e Mesme, ndërsa India po ndjek nga afër zhvillimet dhe hetimet për rrethanat e incidentit.

Top Channel