Bletët e mëdha duket se janë më lozonjare nga sa mendonin njerëzit, sugjeron një studim i ri.
Shkencëtarë në Londër kishin vendosur kamera në një ambjent në miniaturë të krijuar për të filmuar insektet dhe mënyrën sesi ato bashkëvepronin me disa topa të vegjël të drunjtë.
Siç shihet në pamje bletët përpiqeshin shumë për të rrotulluar topat e tyre me ngjyra megjithëse nuk kishte një objektiv të qartë dhe as shpërblim për ta bërë këtë.
Pamjet e adhurueshme tregojnë se “insektet luajnë ashtu si dhe njerëzit”, sipas studiuesve, të cilët thonë se kjo është dëshmi se loja bën ato të kenë ndjesi “pozitive”.
Studimi i titulluar ‘A luajnë bletët?’, është publikuar në revistën shkencore Animal Behaviour.
“Sigurisht që është habitëse, nganjëherë zbavitëse të shikosh këto bletë të mëdha që përfshihen në një lojë”, thotë një prej autorëve Samadi Galpayage i Universitetit Queen Mary në Londër.
“Ato afrohen dhe nisin të manipulojnë ‘lojrat’ e tyre në vazhdimësi”.
“Kjo tregon se megjithë masën e tyre të vogel të trupit dhe të trurit, ato nuk janë vetëm qenie robotike”.
“Ato mund të provojnë gjendje emocionale pozitive, edhe pse të pallogaritshme, ashtu siç ndodh me kafshë të tjera të mëdha”.
12 topa të drunjtë në ngjyrë të verdhë e vishnje dhe gjashtë topa në ngjyrën origjinale të drurit u vendosën në dispozicion të bletëve.
Bletët individuale në eksperiment ishin 28 femra dhe 17 meshkuj, që u vendosën në arenën e vogël të lidhur me kosheren e tyre.
Eksperimenti u zhvillua për tre orë në ditë, për 18 ditë para se të analizoheshin pamjet.
Çdo bletë rrotullonte topin 44 herë në ditët e eksperimentit, që llogaritej në rreth 117 herë gjatë gjithë kohëzgjatjes.
Studiuesit thanë se kjo tregonte se veprimet ishin të vullnetshme dhe shpërblimi i tyre për bletët individuale ishte emocional.
Ata zbuluan gjithashtu se bletët tregonin preferenca për ngjyrat e topave dhe të dhomës së lojës.
Studimi zbuloi se bletët më të reja rrotullonin topat më shumë se ato më të vjetra, në një motiv sjellje të ngjashëm me gjitarët.
Meshkujt rrotullonin topat më shumë se femrat dhe ekspertët insistonin se kjo nuk kishte të bënte me shfaqje joshjeje.
Top Channel