Vëmendja e BE-së është sit shumë më e fokusuar tek Ballkani Perëndimor, e njoftimi i fundit e Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, e vërteton edhe një herë më së miri.

Zyrtari i lartë i bllokur pohoi se samiti i radhës, Bashkimi Europian- Ballkani Perëndimor, do të zhvillohet në kryeqytetin shqiptar.

Samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor, do ta mbajmë në rajon. Ai do të zhvillohet në  6 dhjetor në Tiranë, në Shqipëri për të riafirmuar kështu angazhimin tonë të përforcuar. Ballkani Perëndimor është një prioritet kyç për Bashkimin Europian. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për njëri-tjetrin“- shkroi Charles Michel në Twitter.

Sinjalet e vendit që po zë sërish rajoni në vëmendjen e bllokut europian, në një kohë kur zgjerimi i bllokut ka ngecur prej gati një dekade duke goditur besueshmërinë në këtë proces, erdhën fort e qartë edhe nga qëndrimi i përcjellë pak ditë më parë nga shumica e ligjvënësve të Parlamentit Europian, të cilët u shprehën njëzëri se “anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është prioritet  gjeostrategjik tani më shumë se kurrë, dhe nëse BE-ja nuk vepron në përputhje me këtë, aktorë të tretë – si Rusia, Kina dhe Turqia – do të shfrytëzojnë mundësinë për të plotësuar vakumin e për të rritur ndikimin e tyre në rajon.

Gjermania nga ana tjetër, injektoi energji të re në Procesin e Berlinit me vulosjen së fundi në Berlin të tre marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal. Samiti i mbajtur në qershor ne Bruksel mes krerëve të qeverive dhe shteteve të 27 vendeve anëtare me liderët e Ballkanit Perëndimor që presin anëtarësimin përfundoi pa rezultate konkrete, në sfondin e rrëzimit vetëm një ditë përpara tij të qeverisë bullgare, dhe asnjë avancimi në përpjekjet për ta bindur Serbinë e cila ka çelur me negociatat me BE-në, që të vendoste sanksione ndaj Rusisë tradicionalisht mike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA