Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri foli në konferencë për shtyp në prag të përballjes së bardhezinjve në kampionat ndaj Empolit të Nedim Bajramit dhe Ardian Ismajlit.
Në lidhje me këtë sfidë, tekniku livornez i “Zonjës së vjetër” theksoi se ende nuk mund të flitet për një rikthim në fushë të Paul Pogba, pavarësisht se francezi ka rinisur punën me grupin në stërvitje ndërsa nga ana tjetër, Allegri shton se për Chiesën do të zhvillohet një miqësore në mënyrë që lojtari të marrë minuta para se të zbresë dhe të marrë ngarkesën e lojës.
“Edhe unë do të doja që ta kisha organikën e plotë, Chiesa ka bërë hapa përpara dhe të shtunën në mëngjes do të organizojmë një miqësore për të dhe të shohim si janë lëvizjet e tij në fushë.
Nga ana tjetër, Pogba ka punuar me skuadrën, por të mos harrojmë se prej datës 23 korrik nuk bën asnjë stërvitje me ngarkesë të plotë. I duhet dhënë kohë, të shpejtojmë dhe ta rikthejmë në fushë para kohe do të thotë se do të “hidhnim erë” të gjithë punën e bërë përgjatë këtyre muajve, do të ishte një çmenduri e vërtetë”, tha Allegri./ Super Sport
Top Channel