Del versioni i ri i aplikacionit “Tirana ime 2.0”, Veliaj: Teknologjia na jep transparencë! Cilësia e ajrit në Tiranë shumë herë më e mirë sot

15/10/2022 14:15

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Vodafone Albania kanë prezantuar versionin e ri të aplikacionit “Tirana ime 2.0”, i cili është rikonceptuar për t’iu përshtatur më mirë nevojave të qytetarëve. Ky version sjell një eksperiencë të përmirësuar në përdorimin e aplikacionit, krahas përditësimit dhe ridizenjimit të rubrikave ekzistuese si: Raporto, Paguaj Parkimin, Transporti, Turizimi, Trafiku, Harta e mbjelljeve të pemëve etj.

Në prezantimin e “Tirana Ime 2.0”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se me versionin e ri, çdo informacion do të jetë edhe më lehtësisht i aksesueshëm. “Sot, qyteti ka më shumë dimensione, sesa thjesht mbledhja e plehrave, mbjelljen e pemëve apo një infrastrukturë që nuk funksionon. Qyteti ka dimensione të mëdha turistike sepse këtë vit kemi bumin më të madh turistik që ka parë ndonjëherë Tirana, edhe përpara Covid-19. Ende nuk ka mbaruar viti dhe në aeroportin e Rinasit po i afrohemi shifrës 7 milionë udhëtarë. Ende pa mbaruar viti, por në Tiranë kemi pasur më shumë vizitorë se sa banorë. Ende nuk ka mbaruar viti dhe hotelet e Tiranës jo vetëm janë plot, por edhe AirBnB, ose shërbimet e tjera alternative, po kalojnë çdo lloj kapaciteti. Mbërritja në këtë nivel kërkon gjithashtu që ne të bëjmë një ‘upgrade’ të marrëdhënies tone dhe aplikacioneve tona”, tha ai.

Drejtoresha e përgjithshme e “Vodafone Albania”, Katia Stathaki falenderoi kryebashkiakun Veliaj për vijueshmërinë e bashkëpunimit, për ta bërë Tiranën njësoj si qytetet e tjera të botës në fushën e inovacionit.

“Versioni i dytë i këtij aplikacioni fantastik është rezultat i një përpjekjeje të madhe në skuadër. Ai tregon, si vendosmërinë dhe vullnetin e lidershipit të Tiranës për t’u ofruar qytetarëve të saj shërbime digjitale, ashtu edhe mbështetjen e Vodafone Albania për ta vënë teknologjinë në shërbim të njerëzve. Qytetet e sotme ofrojnë mundësi të panumërta për inovacion dhe transformimin digjital të shoqërisë. Dhe përmes transformimit digjital, ne mund të sigurojmë një të ardhme urbane më të qëndrueshme dhe fleksibël, por që përshtatet gjithashtu më lehtësisht me sfidat dhe ndryshimet. Për të krijuar qytete më inteligjente, qeveria dhe administrata duhet të përqafojnë partneritetet publik-privat, e të përdorin të gjithë talentin dhe kapitalin e nevojshëm për t’u përballur me sfidat që na presin. Jam e lumtur dhe entuziaste të vazhdoj bashkëpunimin me liderin vizionar të Bashkisë, për ta ndihmuar këtë të fundit të realizojë këtë vizion dhe të zhvillojë teknologji e shërbime informacioni që i shërbejnë akoma dhe më shumë qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, Veliaj tha se nëse dikush do të shohë cilësinë e ajrit në Tiranë, mjaft të hapë aplikacionin dhe e gjen aty, pa patur nevojë për të hapur debate.

“Sot ka shumë diskutime për tema të ndryshme që ndodhin në qytet, duke filluar nga cilësia e ajrit, cilësia e jetesës apo çmimi i pronës. Por, sot teknologjia na ka mundësuar disa gjëra që nuk ka më nevojë për debate politike. Fjala vjen, nëse ne kemi një satelit, si Koperniku, që është vendosur në të gjitha aplikacionet e që parashikojnë motin, si për shembull, Il Meteo, tregon se cilësia i ajrit në Tiranë në këtë moment është jeshile, pra mirë. Ambicia ime është të jetë shumë mirë, dhe shkëlqyeshëm, por përsëri është më mirë se sa ajo e kuqja dhe portokallia që gjenim kur erdhëm në këtë administratë, ajo reja e zezë që vinte nga Sharra, apo nga djegia e gëlqeres në Fushë Krujë. Nuk ka nevojë të bëhet më debat. Kjo nuk është punë të majtësh apo të djathtësh. Hap një aplikacion që tregon cilësinë e ajrit dhe mbyllet debati. Po doli me të kuqe, unë duhet të kryqëzohem. Por, po doli me jeshile, do themi: kjo gjë po bëhet mirë, të shikojmë çfarë mund të bëjmë mirë edhe gjëra të tjera”, tha Veliaj.

Që nga lancimi i parë e deri më sot, 39,000 qytetarë kanë raportuar drejtpërsëdrejti problematika përmes aplikacionit “Tirana Ime 2.0”, të cilat janë trajtuar dhe zgjidhur në kohë të shkurtër, duke e bërë aplikacionin kanalin kryesor të komunikimit online.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA