SHBA-Iran, tjetër shans për negociata/ Amerikanët nisin bllokimin e Hormuzit, zv.presidenti Vance lë të hapur mundësinë për bisedime

14/04/2026 11:10

Bllokada e porteve iraniane nga ana e Shteteve të Bashkuara tashmë është në fuqi, sipas Donald Trump që deklaroi më herët se marina amerikane do të bllokojë çdo anije që përpiqet të hyjë ose të dalë nga Ngushtica e Hormuzit”.

Komanda Qendrore e SHBA-së konfirmoi bllokadën e “gjithë trafikut detar të lidhur me portet iraniane”. Por shtoi se nuk do të pengojë lirinë e lundrimit për anijet që kalojnë Ngushticën për të lëvizur në portet e vendeve të tjera të rajonit. Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e akuzoi Iranin për “terrorizëm ekonomik” për shkak të bllokimit që i bëri rrugës së rëndësishme detare që në fillimin e luftës, dhe la të kuptohej se të njëjtën monedhë mund të përdorë edhe vetë SHBA-ja.

Siç e ka treguar edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, kjo është një lojë të cilën mund ta luajnë të dyja palët. Nëse iranianët do të përpiqen të ushtrojnë terrorizëm ekonomik, dhe të mos lejojnë anijet të hyjnë, atëherë asnjë anije iraniane nuk do të dalë gjithashtu”, shprehet JD Vance.

Ambasadori iranian në OKB e cilësoi bllokadën një “shkelje të rëndë” të sovranitetit të vendit të tij. Ndërkohë, mundësia e një zgjidhje diplomatike e ngërçit duket se nuk është shembur krejtësisht.

Al Jazeera thotë se qeveria pakistanezë është ofruar të organizojë në Islamabad një raund të dytë negociatash midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në ditët e ardhshme, para përfundimit të armëpushimit dyjavor me të cilin ranë dakord të dy vendet. Propozimi i bërë në mënyrë joformale, mbetet i varur nga vullneti i palëve, të cilat mund edhe të kërkojnë një vend tjetër për zhvillimin e bisedimeve. Turqia, po ndërhyn gjithashtu në perpjekje për të zgjidhur përplasjet midis SHBA-së dhe Iranit, tha një burim rajonal për CNN.

Duke iu referuar raundit të parë, Vance u shpreh se me Iranin janë arritur përparime, por jo të mjaftueshme për të hequr uranin e pasuruar dhe për të garantuar që Teherani të mos mund të ketë mundësinë të zhvillojë armë bërthamore.

 

Top Channel