Zgjedhjet në Spanjë/ 83-vjeçarja merr karrigen nga shtëpia dhe zë vend në rreshtin e parë për të pritur rezultatet
Zvicra do të kufizojë përdorimin e fishekzjarrëve që shkaktojnë zhurmë të madhe, pasi nisma për ndalimin e tyre u miratua në referendumin e së dielës, më 29 nëntor.
Sipas Reuters, rreth 60% e votuesve mbështetën nismën, e cila u hodh në votim në kuadër të traditës zvicerane të demokracisë së drejtpërdrejtë, me qëllim mbrojtjen e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit nga shpërthimet e forta, mbeturinat dhe aksidentet.
Qeveria dhe parlamenti, të cilët kundërshtuan kufizimet e reja, kanë dy vjet kohë për të përcaktuar detajet e ndalimit, përfshirë kategoritë e fishekzjarrëve që konsiderohen të zhurmshëm. Fishekzjarrët më pak të zhurmshëm, si shkopinjtë xixëllues dhe qirinjtë romakë, do të vazhdojnë të lejohen.
Përjashtime mund të bëhen për organizimin e aktiviteteve të mëdha, por individëve do t’u ndalohet ndezja e fishekzjarrëve që shkaktojnë zhurmë të fortë.
Përmes posterave që paraqisnin mace dhe qen të frikësuar, me putrat mbi veshë, mbështetësit e nismës argumentuan se fishekzjarrët rrisin nivelin e stresit te kafshët dhe njerëzit, si dhe krijojnë mbeturina që shpesh përfundojnë në fusha.
Roman Huber, anëtar i komitetit të referendumit dhe trajner qensh, tha se fishekzjarrët ndizen disa ditë para dhe pas festave të rëndësishme kombëtare, duke u kthyer në një shqetësim gjatë gjithë vitit.
“Njerëzit mund të thonë se fishekzjarrët janë thjesht një mënyrë për t’u argëtuar. Por nuk është argëtim kur njerëzit dhe kafshët vuajnë”, tha ai.
Kundërshtarët e kishin cilësuar propozimin si një sulm ndaj lirisë individuale, duke argumentuar se fishekzjarrët janë pjesë thelbësore e festimeve popullore, si nata e ndërrimit të viteve dhe Dita Kombëtare e Zvicrës.
“Mbështetësit e këtij ndalimi janë njerëz që ua prishin të tjerëve gëzimin”, deklaroi përpara votimit ligjvënësi Andrea Caroni, nga Partia Liberale e qendrës së djathtë (FDP).
“Fishekzjarrët janë një shprehje e gëzimit”, shtoi ai, duke argumentuar se përdorimi i tyre tashmë rregullohet me masa të rrepta.
“Nuk duhet ta kufizojmë më tej argëtimin e njerëzve, aq më pak përmes një ndalimi të përgjithshëm në shkallë kombëtare”, deklaroi Caroni përpara referendumit.
Top Channel