SHBA nuk ndalon kalimin drejt porteve jo-iraniane, vazhdon trafiku detar

14/04/2026 09:13

Një tjetër tanker ka kaluar në Ngushticën e Hormuzit të martën, sipas të dhënave të gjurmimit detar, pavarësisht bllokadës së shpallur nga Shtetet e Bashkuara.

Të dielën, presidenti Donald Trump deklaroi se marina amerikane do të bllokonte “çdo anije që hyn ose del” nga Ngushtica e Hormuzit. Më pas, ai sqaroi se masa synon anijet që hyjnë ose dalin nga portet iraniane.

Komanda Qendrore e SHBA-së konfirmoi bllokadën për të gjithë trafikun detar që lidhet me portet iraniane, por theksoi se nuk do të pengohet liria e lundrimit për anijet që kalojnë drejt porteve të vendeve të tjera.

Sipas të dhënave nga MarineTraffic, të hënën katër anije cisternë kaluan në ngushticë para hyrjes në fuqi të bllokadës në orën 14:00 (me orën lokale). Të gjitha transportonin naftë, gaz ose kimikate.

Ndërkohë, të martën një tjetër tanker, “Rich Starry”, kaloi në këtë rrugë detare. Anija kishte si port të fundit Emiratet e Bashkuara Arabe dhe destinacion final Kinën.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të energjisë.

Top Channel