Pedagogët po zhvillojnë protestën e radhës në korpusin universitar, ku kërkojnë dyfishimin e pagave.
Ata janë mbledhur para Fakultetit të Arteve, ndërsa theksojnë se nuk mjaftohen me rritjen 7% nga buxheti i shtetit dhe 8% nga vetë universiteti.
“Protestat tona nuk kanë bazë vetëm rritjen e rrogave tona. Protesta kërkon të verë në vend dinjitetit e pedagogëve dhe universitetit. Nëse nuk financon në infrastrukturë, specializime, projekte, është e kotë të kërkohet që të konkurrojmë me universitet e tjera jashtë shtetit, është e kotë. Këto nuk bëhen me frymën e shenjtë”, thotë pedagogia e Fakultetit të Histori-Filologjisë, në një lidhje ‘live’ me edicionin e lajmeve të orës 12:00.
Ajo tregon pagën e saj, që thotë se është më pak edhe se kolegët në Kosovë.
“Unë marr 600 e ca euro pagë, edhe pse kam 25 vite mësuese”.
E hëna është data e nisjes së vitit të ri akademik, por pedagogët thonë se nëse qeveria nuk reagon, ata nuk do të hyjnë në auditore, ndërsa i bëjnë thirrje studentëve që të bashkohen nën sloganin investim për arsim cilësor.
Sindikata e punonjësve të universiteteve të Shqipërisë parashikon nevojën e një fondi prej 15 milion euro për të vlerësuar rreth 5000 akademike e staf administrativ, e kjo do të ishte e mundur sipas tyre duke kursyer nga tenderat publike.
Kjo javë është vendimtare për nisjen ose jo të vitit të ri akademik më 17 tetor, në varësi të reagimit ose heshtjes së qeverisë.
Top Channel