Bashkia e Tiranës kontrolle ndaj agjencive funerale, masa për reklamat dhe ekspozimin në zonat e banuara

18/09/2026 14:25

Bashkia e Tiranës ka nisur kontrollet në terren ndaj agjencive funerale, pas ankesave të përsëritura të qytetarëve për mënyrën e reklamimit dhe ekspozimin e elementeve të lidhura me këtë aktivitet në zonat e banuara.

Prej afro një viti, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit ka marrë ankesa nga banorë që jetojnë pranë këtyre subjekteve. Reklamat në fasada, objektet e ekspozuara në ambientet e jashtme, si edhe automjetet e parkuara pranë agjencive, kanë krijuar shqetësim në përditshmërinë e komunitetit.

Pas përfundimit të afatit gjashtëmujor që u ishte lënë subjekteve për të përshtatur aktivitetin me kërkesat e Bashkisë, inspektorët e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit dhe të Policisë Bashkiake zhvilluan kontrolle të përbashkëta në disa zona të kryeqytetit.

Aksioni nisi në Njësinë Administrative nr. 5, një nga zonat më të populluara të Tiranës dhe ku, sipas Bashkisë, janë regjistruar edhe ankesa të vazhdueshme nga qytetarët.

“Është marrë një nismë, në zbatim edhe të vendimit nr. 44, për subjektet që ushtrojnë këtë lloj aktiviteti, në mënyrë që elementet e lidhura me të të mos ekspozohen në fasada dhe në vende të dukshme. Duke marrë shkas edhe nga ankesat e qytetarëve, grupet e Bashkisë dhe drejtoritë përkatëse kanë nisur sot kontrollet në Njësinë nr. 5, si një nga njësitë më të populluara. Këto kontrolle do të vijojnë edhe në njësitë e tjera. U bëjmë thirrje bizneseve të bashkëpunojnë dhe të respektojnë rregullat, në mënyrë që të shmangen shqetësimet për banorët,” u shpreh Besmir Nela, drejtor i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit pranë Bashkisë së Tiranës.

Në mbështetje të kontrolleve në terren ishte edhe Policia Bashkiake, e cila do të asistojë strukturat e Bashkisë gjatë vijimit të aksionit.

Kontrollet do të vijojnë në të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit, me synim disiplinimin e reklamimit dhe të ekspozimit të aktivitetit të agjencive funerale, veçanërisht në zonat e banuara.

Top Channel