Zhbllokohen procedurat, Bashkia e Tiranës merr në dorëzim apartamente të reja për strehimin social, zbatohet kontributi 3% i ndërtuesve

16/09/2026 13:29

Bashkia e Tiranës ka marrë në dorëzim apartamente dhe njësi shërbimi në Njësinë Administrative nr. 11, të cilat i shtohen fondit publik të pronave të destinuara për programet sociale të strehimit.

Pas zhbllokimit të procedurave, përfaqësues të Bashkisë së Tiranës ishin të pranishëm gjatë procesit të marrjes në dorëzim të apartamenteve, të cilat janë të certifikuara dhe të përfunduara sipas standardeve të parashikuara në projekt.

“Sot marrim në dorëzim apartamentet në zbatim të kontratës së lidhur mes Bashkisë së Tiranës dhe subjektit ndërtues. Apartamentet janë të certifikuara, në gjendje shumë të mirë dhe plotësojnë standardet e projektimit dhe të zbatimit të punimeve. Janë të gatshme për banim dhe nga sot kalojnë në administrimin e Bashkisë së Tiranës”, u shprehën përfaqësuesit e Bashkisë gjatë procesit të dorëzimit.

Ata sqaruan se këto apartamente janë pjesë e mekanizmit të parashikuar gjatë procesit të lejeve të ndërtimit, përmes të cilit sektori privat kontribuon në krijimin dhe zgjerimin e fondit publik të banesave sociale.

Apartamentet e përfituara përmes këtij mekanizmi përdoren në kuadër të programeve të strehimit social dhe u shërbejnë individëve dhe familjeve që plotësojnë kriteret ligjore për përfitim. Bashkia e Tiranës administron ndër të tjera programin e banesave sociale me qira, ndërsa në procedurat e saj parashikohet posaçërisht edhe përdorimi i apartamenteve që i janë shtuar fondit publik si rezultat i kontributit 3% të sektorit privat.

Marrja në dorëzim e apartamenteve në Njësinë Administrative nr. 11 vijon zbatimin e këtij mekanizmi, duke shtuar asetet publike që Bashkia e Tiranës mund të vendosë në dispozicion të politikave të strehimit dhe familjeve që kanë më shumë nevojë për mbështetje.

Top Channel