Java e nxehtë politike, është temë diskutimi këtë të enjte në “Top Story” dhe fokusi qëndron në përçarjen brenda Partisë Demokratike.
Gazetari Robert Rakipllari është shprehur se i vetmi problem që e distancon Berishën nga Partia Demokratike është statusi i tij non-grata, ndërsa po të paralelizohet me elektoratin, ai tha se statusi i Berishës nuk ndikon aspak në mbështetësit e PD-së.
Rakipllari tha se nuk mund ti thuhet Berishës në këtë moment largohu pasi ka mbështetje shumë më të gjerë se pjesa tjetër e PD-së.
Rakipllari: Ajo që vëmë re është fati që nuk ka ndonjë zhvillim të ri pas gjashtë marsit. Berisha ka një lloj izolimi ndërkombëtar, por duhet ta pranojmë faktin që elektorati i djathtë nuk është prekur nga fakti që Berisha është non-grata. Sot po ta bëjmë si është situate, ne kemi Berishën faktor të opozitës që përfaqëson një elektorat goxha të madh, kemi dhe Partinë Demokratike zyrtare. Problemi është tek non-grata, i gjithë konflikti është për këtë shkak. Çfarë prespektive ka një kandidat për kryeministër apo kryetar PD-je që nuk njihet nga ndërkombëtarët. Berisha nga njëra anë ka mbështetje shumë të gjerë, Alibeaj përfaqëson vetëm veten e vet dhe nja 2-3 deputetë që i ka në krah. Në këtë moment, bashkimi i PD-së është zgjidhje. Nuk mund ti thuash Berishës në këtë moment largohu.
Top Channel