Shkelje e barazisë në tendera, ish-drejtoresha e ARRSH në SPAK për aksin Kardhiq-Delvinë: U pyeta si person që ka dijeni

03/10/2022 12:00

Ish-drejtoresha e ARRSH-së njëkohësisht edhe ish-ministrja e Shtetit, Sonila Qato është paraqitur sot në SPAK e shoqëruar nga avokati i saj.

Ajo u shpreh se ishte thirrur në SPAK për çështjen e shkeljeve në tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë, ku u mor në pyetje si person që ka dijeni për rrethanat e çështjes.

“Nuk isha njoftuar për ndonjë konferencë, është një procedurë që ka nisur me dorëheqjen time, dhashë detaje, procedura e kallëzimit është e Kardhiq-Delvinës, u pyeta si person që ka dijeni për rrethanat e çështjes. Çështja është për shkelje të barazisë në tendera”, tha Qato.

Kujtojmë se Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurori në vitin 2020 ish-drejtoreshën për abuzim 5 milionë euro me tenderin e rrugës Kardhiq- Delvinë.

Pas auditimit të tenderit, KLSH kërkoi hetim të thelluar penal ndaj Qatos, duke e akuzuar se ka skualifikuar pa të drejtë ofertën më të ulët, atë të paraqitur nga një prej kompanive.

Tenderi për lotin e 7, të rrugës Kardhiq-Delvinë, u zhvillua nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në qershor të vitit 2019.

Në garë morën pjesë 6 kompani, dhe ofertat e paraqitura prej tyre variuan nga 15 deri në 19 milionë euro, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar.

ARRSH skualifikoi 5 ofertat më të ulëta, me pretendimin se nuk përmbushnin kriteret teknike duke shpallur fituese ofertën më të lartë, përkatësisht atë të një kompanie italiane, pas të cilës qëndronte një kompani shqiptare.

Kjo kompani kishte ofruar ta ndërtonte tunelin për 19 milionë euro pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar ose 4 milionë euro më shumë se sa oferta më e ulët e dhënë nga kompania.

Sipas Kontrollit te Lartë të Shtetit për katër kompani skualifikmi ka qenë i drejtë pasi nuk përmbushnin kriteret, ndërsa oferta më e ulët është skualifikuar në kundërshtim me ligjin. Dëmi sipas KLSH vlerësohet plot 5 milion euro duke përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar.

Përplasjet për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë,çuan ne largimin e Qatos nga drejtimi i ARRSH-së.

Ky është kallëzimi i dytë penal ndaj saj, pasi më parë ajo është kallëzuar penalisht edhe nga një kompani, dosje që ndodhet për hetim në SPAK.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA