Kancelari gjerman Olaf Scholz shënoi një fitore në turneun e tij në Gjirin Persik, ku nënshkroi disa kontrata të vyera energjie.
Pas problemeve me gazin rus, Gjermania po kërkon mënyra të tjerë furnizimi. Një prej tyre, intensifikimi i partneritetit me Emiratet e Bashkuara Arabe, i dha frytet e para. Shcolz arriti të marrë OK-n e këtij vendi për sasi të rëndësishme gazi natyror të lëngshëm.
Dërgesa e parë mbërrin në fund të dhjetorit në terminalin e ri në Brunsbüttel pranë Hamburgut. Kontrata u firmos nga koncerni energjetik RWE me qendër në Essen dhe Kompania Kombëtare të Naftës në Abu Dhabi (ADNOC) e cila është në pronësi të shtetit.
Fjala është për një sasi prej mbi 137,000 metra kub gaz natyror të lëngshëm, ndërkohë që nga viti 2023 kompania shtetërore e Emirateve do të dërgojë gjithashtu deri në 250,000 tonë naftë çdo muaj.
Qëllimi i Scholzit është i qartë: tashmë, Gjermania do të tentojë të ketë shumëllojshmëri furnizimi, e të mos krijojë varësi aq të madhe sa me Rusinë nga një furnizues i vetëm. Deri në momentin që nisi lufta e Ukrainës, ajo importonte rreth 55 për qind të gazit të saj natyror nga Rusia.
Një situatë e tillë, sipas kancelarit gjerman, nga sot e tutje, do të shmanget. Emiratet e Bashkuara Arabe renditen me rreth gjashtë trilion metra kub gaz në vendin e shtatë në botë për nga depozitat e gazit natyror. Deri më sot, gazin e trye të lëngshëm ato e eksportonin kryesisht në Azi.
Top Channel