Sousa humb rast me portë bosh, Mallorca merr fitoren e dytë sezonale

17/09/2022 16:31

Mallorca mori të dytën fitore sezonale, duke mundur në shtëpi Almerian me rezultatin minimal.

Skuadra e Vedat Muriqit u mjaftua nga një gol i Pablo Maffeos në pjesën e parë për të marrë pikët e plota, në një ndeshje ku përballeshin dy skuadra me të njëjtin objektiv.

Fillimi i lojës ishte i vakët, me të dyja ekipet që u treguan të kujdesshme. E para goditje drejt kuadratit solli dhe golin e avantazhit për vendasit, teksa një top i harkuar nga Copete u devijua nga një prej mbrojtësve të skuadrës mike, duke u kthyer në një asist për Maffeon, i cili i shpëtoi markimit dhe me shumë qetësi goditi saktë me kokë nga fare pranë portës.

1-0 për Mallorca që më pas e pati më të lehtë vijimin e lojës. Muriqi tentoi disa herë që të rrezikonte, por pa vënë në vështirësi serioze portierin Martinez. Në pjesën e dytë Almeria ishte më kërkuese dhe tentoi më shumë në portën e Rajkoviç, por nuk pati rezultat.

Në shtesë, sulmuesi portugez i Almerias, Sousa shpërdoroi një rast të artë, me portën e boshatisur, duke lënë në fuqi rezultatin minimal 1-0 për Mallorcën.

Pas kësaj ndeshje Mallorca shkon në kuotën e 8 pikëve, ndërsa Almeria mbetet me vetëm 4 pikë në gjysmën e poshtme të tabelës. Muriqi luajti për 83 minuta në këtë sfidë, duke u zëvendësuar pas një ndeshje pozitive, por që nuk arriti dot që të gjente rrugën e rrjetës. Këtë edicion Muriqi ka arritur që të shënojë tre gola në këto 6 javë, duke ndëshkuar në javën e pestë dhe Real Madridin në “Bernabeu”./ Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA