Raphinha po kalon një moment fantastik përsa i përket shënimit të golave. Kjo u pa edhe në ndeshjen me Aston Villën në Ligën e Kampioneve ku braziliani shënoi 2 gola duke u shpallur edhe MVP i ndeshjes.

Për Raphinhan kjo ndaj anglezëve ishte ndeshja e tretë radhazi që gjente rrugën e rrjetës. Dhe ky moment i jashtëzakonshëm sportiv është reflektuar edhe në aspektin administrativ.

Raphinha tashmë e ka arritur marrëveshjen me Barcelonën për rinovimin e kontratës deri në vitin 2030. Deco e bëri të ditur këtë në Asamblenë e fundit të klubit të mbajtur në shtator, por këtë të enjte braziliani do të hedhë zyrtarisht firmën në kontratën e re së bashku me presidentin e klubit katalanas Joan Laporta.

Ndërkaq, Raphinha është shndërruar në golashënuesin e tretë më të mirë të Barcelonës në të gjithë historinë e saj në Ligën e Kampioneve. Braziliani ka arritur në 23 gola të shënuar në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube duke barazuar Robert Lewandowskin. Në krye është vetëm Lionel Messi, i paarritshëm me 120 gola në 149 ndeshje i ndjekur nga Luis Suarez me 25 gola në 55 ndeshje. Po kështu Raphinha me dygolëshin ndaj Aston Villas ka arritur në kuotën e 94 golave me fanellën blaugrana duke barazuar një emër si ai i bashkëkombasit të tij, Ronaldinho.

Top Channel