Për Viktor dhe Naze Kapxhillarin stina e ftohtë do të nisë ndryshe këtë vit pasi për t’u ngrohur do të përdorin mbetjet e disa rrënjëve kumbulle të cilat i morën nga fqinja e tyre që pastroi një sipërfaqe pranë shtëpisë dhe një sasi të vogël drush që ka tepruar nga dimri i shkuar.
Çifti i pensionistëve që jetojnë në një apartament me qera në Maliq ende nuk e kanë siguruar ngrohjen edhe pse prej qershorit janë përpjekur te blenë drutë e dimrit. Ata jetojnë me të ardhurat e pensionit të cilat i ndajnë për qiranë, faturat, medikamentet dhe ushqimet ndërsa gjatë gjithë vitit përpiqen të kursejnë diçka për të blerë edhe drutë e zjarrit. Por këtë vit ata nuk kanë gjetur dru për ngrohje në treg ndaj Nazja është përpjekur të gjejë edhe alternativa të tjera si batanijet me ngrohje por as të tilla s’ka mundur të sigurojë.
Nga 63 mijë banorë të bashkisë Maliq deri tani është siguruar ngrohja vetëm për gati 25 % të tyre ndërsa mungesa në treg vjen për shkak se në këtë bashki nuk ka sipërfaqe pyjore të miratuar për shfrytëzim dhe as pikë shitje
Bashkia e Maliqit i është drejtuar me shkresa bashkive të tjera për të furnizuar me dru zjarri banorët por ende nuk ka një përgjigje konkrete për zgjidhjen e kësaj situate nga e cila mijëra familje rrezikojnë të mbeten pa ngrohje.
Top Channel