Nga Shtetet e Bashkuara, mbërrijnë të tjera sinjale të forta e te qarta mbështetjeje për Shqipërinë pas sulmeve kibernetike të Iranit, të cilat shtynë ekzekutivin shqiptar të vendoste ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me regjimin e ajatollahëve.
Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Senatit Amerikan, Bob Menendez dhe zv/kryetarit Senatorit Marco Rubio përcollën njëzëri në Washington shqetësimin ndaj këtyre sfidave që iu bënë mbrojtjes së vendit tonë në fushën kibernetike, ndërsa e bënë të qartë se përkrahja e SHBA-së do të jetë e plotë për një bashkëpunim konkret e të prekshëm të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit.
Këto komente, dy zyrtarët e lartë amerikane i bënë gjatë një takimi ku përfaqësoheshin 30 parlamente nga Australia, Japonia, Britania dhe Europa, e ku ishin ftuar të merrnin pjesë edhe një grup deputetësh shqiptarë pjesë e IPAC(Aleanca ndërparlamentare për Kinën.
Menendez theksoj se siguria dhe ekonomia janë shumë të lidhura me njëra tjetrën, prandaj marrëdhëniet ekonomike që krijojnë varësi politike dhe probleme të sigurisë janë të dëmshme dhe të papranueshme. Në cilësinë e bashkëkryetarit të IPAC, Fatmir Mediu drejtoi seancën për miratimin e dokumentit final duke theksuar në emër të delegacionit shqiptar se Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj në krah të SHBA dhe vëndeve demokratike.
“Ne nuk mund të shesim interesat tona afatgjata të sigurisë për përfitime afatshkurtra ekonomike. Liria është më e rëndësishme se tregtia e lire, dhe mbrojtja e vlerave tona është më e rëndësishme se fitimi. Demokracitë në rajon rrezikohen nga ndërhyrja e forcave anti-europiane dhe anti-NATO dhe problemet që kanë të bëjnë me mosfunksionimin e shtetit ligjor”, tha Mediu.
Ky rrugëtim i grupit të ligjvënësve shqiptarë në Washington vjen në mesin e stuhisë që shkaktoi në politikën shqiptare një raport i komunitetit amerikan të zbulimit mbi financimet ruse në dhjetëra vende, mes të cilëve edhe Partinë Demokratike të Shqipërisë përmes kompanive fantazmë.
Departamenti amerikan i Shtetit më herët se pikërisht nisur nga rreziku që këto ndërhyrje përbëjnë për sovranitetin dhe demokracinë e vendeve dhe ndikimi që Rusia përpiqet të ushtrojë, Shtetet e Bashkuara vendosën të flisnin publikisht për këtë çështje.
Top Channel