Osasuna mund Rayo Vallecano-n e Balliut dhe e kalon në renditje

04/09/2022 16:40

Sfida e javës së katërt në La Liga midis Osasuna dhe Rayo Vallecano përfundoi me fitoren e vendasve, me rezulatin 2-1. “Në Estadio el Sadar” vendasit triumfuan në fundin e takimit, pasi goli i fitores erdhi vetëm në minutën e 90’.

Pjesa e parë foli për Osasuna, që ishte më kërkuese. Në 20 minutat e para klubi vendas i shkoi shumë pranë golit në disa raste.

Në minutën e tretë, Moi Gomez përfitoi nga një gabim në kthimin e topit në mbrojtje, me spanjollin i cili u vendos përballë portierti, por maqedonsi Dimitrievski realizoi një super pritje për të mbajtur portën e paprekur.

Osasuna rriti ritmin në vazhdim dhe në minutën e 19’ pati një tjetër rast, por fatmirësisht për Rayo Vallecanon topi përfundoi te portieri.

Zhbllokimi i sfidës erdhi vetëm në pjesën e dytë në të 54’ ku spanjolli Oroz, realizoi golin e parë të sfidës, pas një aksioni model të Osasunës. Serbi Brasanac asistoi për 21-vjeçarin i cili goditi lehtë tokazi për të kaluar në avantazh të tijët.

Kundërpërgjigja e Rayo Vallecanos erdhi në minutën e 75’, nga Florian Lejeune, i cili realizoi një gol të bukur nga një goditje e lirë.

Kur sfida po shkonte drejt përfundimit, Osasuna shënoi përsëri me një aksion të bukur, të cilin e finalizoi spanjolli Ruben Garcia në minutën e 90’.

Për Rayo Vallecanon luajti nga minuta e parë, futbollisti i kombëtares shqiptare, Ivan Balliu.

Osasuna merr një tjetër fitore shumë të rëndësishme dhe shkon në kuotën e nëntë pikëvë, ndërsa Rayo Vallecano e Ivan Balliut pas katër javëve të para ka grumbulluar vetëm katër pikë.

Top Channel