Në vendbanimin Cetinje të Medovinës, në afërsi të Shtëpisë së Qeverisë, kanë mbetur të vrarë 11 persona, ndërsa gjashtë janë lënduar, mes tyre edhe një pjesëtar i policisë, kanë konfirmuar për Shërbimin Publik nga Drejtoria e Policisë.
Ngjarja ndodhi 30 kilometra larg kryeqytetit të Malit të Zi, Podgoricë, pas një debati në një shtëpi, ku mendohet se gjithçka ka nisur si konflikt familjar.
Pas konfliktit familjar, sulmuesi ka qëlluar rastësisht kalimtarët në rrugë dhe në drejtim të policisë, ku në atë konfrontim ka mbetur i vrarë.
4 të plagosur janë shtruar në spitalin e Cetinjës, ndërsa dy të plagosur janë transportuar në Qendrën Klinike në Podgoricë.
Qendra Emergjente e DK-së tha për TVCG se një burrë është pranuar me lëndime të rënda në kokë dhe gjoks. Tre pacientë u desh të dërgoheshin me urgjencë në sallën e operacionit dhe lëndimet ishin mjaft të rënda.
Ivan Ivanoviq, akt Drejtori i spitalit të Cetinjës tha për TVCG se dy personat të cilët janë shtruar në atë institucion janë jashtë rrezikut për jetën dhe se një pacient pas trajtimit është liruar për trajtim në shtëpi.
Sipas informacioneve jozyrtare, sulmuesi është një 34-vjeçar, i cili ka qëlluar edhe mbi fëmijët.
Ajo pjesë e qytetit u bllokua, u shtua prania e policisë dhe u mblodhën një numër i madh i qytetarëve të Cetinisë.
Mësojmë nga dëshmitarët okularë në vendngjarje se sulmuesi ka ecur nëpër lagje dhe ka qëlluar rastësisht në drejtim të qytetarëve që ndodheshin aty.
Top Channel