Lewandowski: Ndihem si një fëmijë me një lodër të re në duar

08/08/2022 19:26

Robert Lewandowski ishte një nga “yjet” e mëdhenj gjatë prezantimit të skuadrës së Barcelonës në trofeun Joan Gamper. Sulmuesi polak mori pjesë në katër nga gjashtë golat që shënoi ekipi i Xavit. Lewa është i lumtur që ka nënshkruar për “blaugranat”, siç e shpjegon në një intervistë të gjerë për “Sport1”.

Largimi nga Bayerni: “”E di që lëndoi shumë fansa. Mund ta kuptoj këtë dhe tani kërkoj vetëm falje. Në atë kohë ishte e rëndësishme dhe e nevojshme për mua të bëja të qartë se isha gati për një ndryshim. Në fund të ditës, ne jemi të gjithë njerëz. Pas 12 vjetësh në Gjermani, e kisha të qartë se epoka ime kishte mbaruar. Doja ta bëja të qartë këtë, dhe sigurisht që nuk ishte e lehtë për Bayernin të pranonte një shitje gjatë kësaj faze. Ishte një situatë e vështirë për të gjithë të përfshirët dhe ne duhej të gjenim zgjidhjen më të mirë. Më duhej ky ndryshim, ky transferim në një vend tjetër, në një klub tjetër. Ndihem si një fëmijë që ka një lodër të re”.

Lamtumira: “U ndjeva pak i çuditshëm duke shkuar në terren për herë të fundit. Klubi dhe qyteti do të thotë shumë për mua, dy vajzat e mia kanë lindur në Mynih dhe ne i thamë lamtumirë të gjithëve në “Sports City” dhe në çerdhe. Kur mendoj për pesë golat kundër Wolfsburgut, 41 golat në Bundesligë…., ishin momente të mrekullueshme”.

Prezantimi: “Nuk prisja kaq shumë tifozë. Nuk ka rëndësi nëse kam pasur më shumë apo më pak se lojtarët e tjerë të paraqitur më parë te Barça, si Ronaldinho apo Ibrahimovic. Është shumë bukur kur përjeton kaq shumë mbështetje drejtpërdrejt”.

Thirrjet “Hala Madrit”: “Po, i kam dëgjuar dhe kam qeshur. Por ka pasur edhe disa që kanë thirrur emrin tim. Ishte shumë bukur. Javët e fundit kam takuar edhe disa fansa në rrugë të cilët kanë shprehur mirëkuptimin e tyre për situatën time dhe më kanë uruar më të mirën”.

La Liga: “Gjithmonë kam dashur të luaj në La Liga. Kur Barça trokiti në derë këtë herë, ishte i vetmi opsion për mua. Kisha oferta të tjera, por nuk më interesonin.”

Babai i ndjerë: “Babi do të ishte shumë krenar dhe i kënaqur. Ai gjithmonë më thoshte kur isha fëmijë se besonte se një ditë mund të arrija nivelin më të lartë. Kjo më ka dhënë shumë motiv dhe shpresë për të arritur ëndrrat e mia. Më mungon dhe më bën të trishtuar që ai nuk mundi t’i përjetonte të gjitha këto, qoftë në Dortmund, Mynih apo tani në Barcelonë. Por unë jam i sigurt se ai është ulur në rreshtin e parë dhe më shikon me krenari.”

Top Channel