Blic i PSG-së në Napoli, gati firma me një tjetër mesfushor

07/08/2022 12:57

Blic i PSG-së në Napoli. Kryeqytetasit kanë trokitur në dyert e klubit italian dhe janë prezantuar me një ofertë prej 25 milionë eurosh për mesfushorin spanjoll Fabian Ruiz, i cili nga ora në orë mund të fluturojë drejt Parisit.

Mesfushori 26-vjeçar spanjoll ka edhe një vit kontratë me Napolin dhe ka refuzuar të gjitha ofertat për rinovim, ndaj De Laurentiis është gati të pranojë ofertën e PSG-së, për të mos e humbur me parametra zero një vit më vonë.

Burime pranë klubit napolitan raportojnë se marrëveshja mes klubeve është arritur plotësisht dhe tani PSG-ja po punon për të bindur mesfushorin, që nga ana tjetër joshet nga ideja për të luajtur me yje si Messi, Neymar e Mbappe.

Napoli humb kështu një tjetër pjesë të rëndësishme të skuadrës, pas Koulibaly, Dries Mertens dhe Lorenzo Inzignes, megjithatë drejtuesit e klubit janë gati të sjellin të tjerë elementë për të kompletuar skuadrën.

Një nga ata është portieri Keilor Navas, i mbetur në pankinë te PSG-ja dhe këta të fundit kanë treguar gatishmërinë ta huazojnë te Napoli, qoftë edhe duke i paguar një pjesë të pagës.

Sa i përket mesfushës, ëndrra e Spallettit quhet Giovanni Lo Celso, me argjentinasin që nuk bën pjesë në planet e Contes te Tottenham dhe është në pritje për të mësuar të ardhmen e tij./ Super Sport

Top Channel