Pasojat e plota të vizitës së kryedemokrates amerikane Nancy Pelosi në Tajvan , po shfaqen gjithnjë e më qartë tani.

Tajvani thotë se zbuloi shumë avionë kinezë dhe anije detare që merrnin pjesë në stërvitjet ushtarake rreth ngushticës së Tajvanit të shtunën, në atë që mund të jetë një sulm i mundshëm i simuluar kundër ishullit.

Ministria tha se disa nga avionët dhe anijet kishin kaluar vijën mesatare të ndjeshme në ngushticën e Tajvanit që ndan ishullin nga Kina.

Një reagim për veprimet armiqësore të Kinës e bëri edhe sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken.

“Me lëshimin e raketave, Pekini ka ndërmarrë një hap të papërgjegjshëm të një lloji tjetër. Ata kanë mbyllur tetë zona të ndryshme ku të dy vendet tona kanë qenë në gjendje të punojnë së bashku. Ato përfshijnë disa kanale ushtarake-ushtarake të cilat ishin jetike për shmangien  e krizës”.

Lajmi pason një seri stërvitjesh ushtarake që Kina ka kryer rreth Tajvanit që nga e enjtja, pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi në ishullin demokratik vetëqeverisës në fillim të kësaj jave.

Partia Komuniste Kineze e sheh Tajvanin si territorin e saj, pavarësisht se kurrë nuk e ka kontrolluar atë, dhe është zotuar prej kohësh të “ribashkojë” ishullin me territorin kinez — me forcë nëse është e nevojshme.

Pelosi e injoroi kundërshtimin e furishëm të Kinës ndaj vizitës së saj duke zbritur në Taipei të martën në mbrëmje, si pjesë e një turneu më të madh në Azi që përfundoi të premten me një ndalesë të fundit në Japoni.

Në kundërpërgjigje Kina  sanksionoi Pelosin, dhe tashmë ka ndërprerë bashkëpunimin për çështje të ndryshme me Amerikën, duke përkeqësuar marrëdhëniet tashmë të tendosura SHBA-Kinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA