Rreth 20% e popullsisë në Shqipëri gjatë vitit 2020 nuk kishin mundësi të ndiqnin një dietë të shëndetshme, sipas një studimi krahasues të Bankës Botërore që u publikua së fundmi.
Në këtë studim, Shqipëria rezultoi si vendi me përqindjen më të lartë të popullsisë në Europë që nuk kanë mundësi të ushqehen shëndetshëm.
Përballueshmëria e dietës u bazua në çmimet e artikujve ushqimorë të marra nga Programi Ndërkombëtar i Krahasimit (ICP), të kombinuara me të dhënat e përbërjes së ushqimit dhe kërkesat ushqyese nga një gamë e gjerë burimesh, duke përfshirë udhëzimet kombëtare dietike.
Pas Shqipërisë përqindjen më të lartë të popullsisë, që nuk kishte mundësi të ndiqte dietën e shëndetshme e kishte Maqedonia me 18%. Vendet e tjera të Rajonit dhe Europës kanë një përqindje shumë më të ulët të popullsisë që nuk kanë mundësi të ndjekin një ditë të shëndetshme.
Në vitin 2020, kostoja mesatare ditore globale e një diete të shëndetshme e krahasuar me fuqinë blerës ishte 3,54 dollarë. Në vendet me të ardhura të ulëta kostoja mesatare ishte 3,20 dollarë, ndërsa në vendet me të ardhura të larta ishte pak më e lartë në 3,35 dollarë. Kostoja më e lartë u vu re në vendet me të ardhura të mesme të larta, ku një dietë e shëndetshme kushtonte 3,76 dollarë, ndërsa në vendet me të ardhura të mesme të ulëta mesatarja ishte pak më e ulët në 3,70 dollarë.
Këto kosto janë shumë më tepër se komponenti ushqimor (52%) i kufirit aktual ndërkombëtar të varfërisë prej 1,90 dollarë në ditë.
Krahasimi i këtyre kostove me të dhënat e shpërndarjes së të ardhurave tregon nivelin e përballueshmërisë së dietës. Rreth 42% – ose 3.07 miliardë njerëz nuk mund të përballonin një dietë të shëndetshme në vitin 2020. Në vendet me të ardhura të ulëta dhe ato me të ardhura mesatare më të ulëta proporcionet u rritën në 88% dhe 69% respektivisht, dhe në dymbëdhjetë vendet më të prekura – të gjitha në Afrikën Sub-Sahariane, mbi 90% e popullsisë nuk mund të përballonte një dietë të shëndetshme.
Përqindja e njerëzve të paaftë për të përballuar një dietë të shëndetshme ra në të gjitha grupet e të ardhurave dhe në shumicën e rajoneve midis 2017 dhe 2019, por u rrit përsëri në vitin 2020. Kjo mund t’i atribuohet rritjes së mprehtë në nivel global të çmimeve të ushqimeve të konsumit në gjysmën e dytë të 2020 duke ndikuar në përballueshmërinë.
Më te shtrenjta nga grupet ushqimore janë ushqimet me origjinë shtazore, me çmim mesatarisht 0,87 dollarë për sasinë ditore të nevojshme për një dietë të shëndetshme. Për këtë grup ushqimor, kostoja më e lartë e regjistruar është në Azinë Jugore me 1,08 dollarë. Perimet janë të dytat më të shtrenjta me 0,79 dollarë ndërsa frutat kushtojnë mesatarisht 0,66 dollarë./ Monitor
Top Channel