Depozitat bankare i janë rikthyer rritjet në qershor, duke vendosur një rekord të ri. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë totali i depozitave arriti në 1.24 trilionë lekë, gati 10.3 miliardë euro. 

Statistikat tregojnë se në raport me muajin maj, kursimet u rritën me gati 11 miliardë lekë, ndërsa rritja rezulton edhe më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur stoku i depozitave arrinte në 9.7 miliardë euro.

Ky zgjerim i ndjeshëm i depozitave në banka muajin e kaluar vjen pas 4 muajsh ku kursimet e shqiptarëve kishin ndalur ritmet e rritjes duke qëndruar në të njëjtat nivele, pasi nisën vitin me rritje.

Rritja ka ardhur si nga depozitat në lekë, ashtu edhe ato në valutë. Këto të fundit vazhdojnë të dominojnë edhe totalin e kursimeve në raport me depozitat në monedhën vendase.

Të dhënat tregojnë se depozitat pa afat kanë dhënë edhe kontributin më të madh në zgjerimin e totalit të kursimeve në banka pasi pesha e tyre u rrit gjatë qershorit.

Ndërkohë, edhe kreditimi në sistemin bankar ka ndjekur një trend pozitiv pasi ka vijuar rritjen edhe muajin e kaluar. Vetëm në pjesën e parë të këtij viti bankat kanë dhënë në total 136 miliardë lekë hua të reja dhe rritja e kredive për këtë 6-mujor ka ardhur si nga bizneset ashtu edhe nga individët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA