Përplasja në protestë, Iris Luarasi: Aktivistja që më ofendoi u shoqërua për incidentin me makinën e deputetes Ilva Gjuzi

09/09/2026 16:55

Deputetja Iris Luarasi ka reaguar sot në rrjetet e saj sociale lidhur me pretendimet se aktivistja që e ofendoi dhe ushtroi dhunë verbale ndaj saj një nate më parë ishte shoqëruar në polici pas një denoncimi të bërë prej deputetes.

Luarasi i cilëson këto pretendime “fake news”, duke sqaruar se shoqërimi i aktivistes nuk kishte lidhje me të, por me një tjetër incident, atë të sulmit ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimit të pasqyrës së makinës së saj.

Nga ana tjetër, Policia ka bërë të ditur se protestuesja Arvina Lleshi është proceduar në gjendje të lirë.

Në reagimin e saj, Luarasi deklaron gjithashtu se deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë hap ligjor ndaj personave që, sipas saj, e denigruan një ditë më parë, ndërsa kundërshton edhe përdorimin e imazhit të saj të montuar mbi trupin e një gruaje tjetër.

Reagimi i plotë i Luarasit:

FAKE NEWS DHE MANIPULIM I SHËMTUAR. Protestuesja është shoqëruar në komisariat lidhur me sulmin ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimin e pasqyrës së tij dhe s’ka lidhje fare me mua.

Deri më tani nuk kam ndërmarrë asnjë hap ligjor ndaj personave që më denigruan dje. Ata që përdorin manipulimin dhe lajmet e rreme nuk i shërbejnë protestës: e bëjnë pis atë.

Përdorimi i fytyrës sime mbi trupin e një gruaje tjetër është poshtërim publik dhe dhunë digjitale ndaj një gruaje. Kur kësaj i shtohet edhe një lajm i rremë, nuk kemi më as informim, as satirë dhe as gazetari. Gazetaria kërkon të vërtetën, kurse qelbësirllëku ushqehet me gënjeshtrën. Mos i ngatërroni. Dhe qelbësirllëku nuk quhet gazetari.

Top Channel