U plagos në operacionin ku humbi jetën Enea Mekolli, drejtori i Policisë viziton në banesë Edison Adrin: Sakrifica juaj nuk do të harrohet

09/09/2026 20:37

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, vizitoi në banesë punonjësin e Policisë Edison Adri, i cili u plagos gjatë operacionit në malin e Bodenit, në Maliq, për kapjen e një personi të kërkuar, ku humbi jetën kolegu i tij, Dëshmori i Atdheut, Enea Mekolli.

Pas përfundimit të trajtimit mjekësor në Itali, Edison Adri është kthyer në banesë, ku vijon periudhën e rikuperimit. Drejtori i Përgjithshëm u takua me të dhe familjarët e tij, duke i përcjellë mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe mirënjohjen për sakrificën e tij në përmbushje të detyrës.

“Edison, së pari, gëzohem shumë që je kthyer në shtëpi, pas një kurimi të vështirë në Itali.

Kam ardhur sot këtu jo vetëm si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por mbi të gjitha si koleg dhe si një prej njerëzve të familjes së madhe të Policisë, dhe për fjalën e dhënë se do të jem krah teje, ashtu siç do të jem krah çdo punonjësi policie që punon dhe sakrifikon për ligjin dhe qytetarët.

Sakrifica e Eneas, tashmë Dëshmor i Atdheut dhe sakrifica jote nuk do të harrohen kurrë.

Jam shumë i kënaqur që sot po të shoh këtu, në shtëpinë tënde, duke u rikuperuar. E di që vuajte shumë dhe se rruga e rikuperimit kërkon kohë dhe forcë, por dua të dish se nuk je vetëm.

Policia e Shtetit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria shqiptare janë pranë teje dhe vlerësojnë e mbështesin çdo sakrificë që i shërben sundimit të ligjit.

Ti e bëre detyrën tënde, tani është detyra jonë të vijojmë të jemi pranë teje, në çdo kohë.

Uroj që dita-ditës të bëhesh më mirë, të marrësh veten plotësisht dhe të rikthehesh sa më shpejt në detyrë, aty ku të presin kolegët dhe detyra në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Hita

Punonjësi i Policisë Edison Adri falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe të gjithë ata që kontribuuan për trajtimin dhe kurimin e tij jashtë shtetit.

Top Channel