31.6% e ndërmarrjeve në Shqipëri menaxhohen nga gratë në Shqipëri, por përfshirja e tyre për të ngritur dhe zgjeruar bizneset mbetet një nga sfidat e zhvillimit ekonomik që Shqipëria mbart.
Por përtej shifrave të përgjithshme, hendeku në aksesin në financim dhe vështirësitë që hasin gratë sipërmarrëse mbeten një pengesë për zhvillimin e plotë të potencialit të tyre ekonomik. Në këtë drejtim, Shqipëria i është bashkuar një nisme globale që synon të krijojë më shumë mundësi financimi për bizneset e drejtuara nga gratë.
“E konsiderojmë këtë një angazhim të rëndësishëm për përfshirjen financiare. Përpjekja mbështetet në tre shtylla: lidership institucional, të dhëna që identifikojnë boshllëqet dhe, mbi të gjitha, veprime konkrete”, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko
“Barazia gjinore nuk është thjesht një qëllim në vetvete. Të dhënat janë thelbësore për të kuptuar boshllëqet dhe për të hartuar strategji që mund të zgjerojnë aksesin e grave në financë. Digjitalizimi është i rëndësishëm, por sipërmarrja e grave është dhe më e rëndësishme. Kjo nismë globale është financuar nga shumë shtete: Danimarka, Gjermania, Suedia, Japonia, SHBA, Emiratet Arabe etj”, u shpreh Francois Malige, Përfaqësues i BERZH.
Kodi për financimin e grave sipërmarrëse synon të mbledhë dhe përdorë më mirë të dhënat e ndara sipas gjinisë, duke identifikuar boshllëqet që gratë sipërmarrëse hasin në aksesin në kredi dhe produkte financiare. Iniciativa në Shqipëri do të udhëhiqet nga Banka e Shqipërisë, me mbështetjen e BERZH.
Top Channel