Legjenda e Man. United sulmon ashpër Barçën: De Jong duhet ta hedhë në gjyq…

25/07/2022 21:03

Gary Neville u është rikthyer sulmeve ndaj Barcelonës. Ish-lojtari i Manchester United ka shfrytëzuar edhe një herë rrjetet sociale për të folur kundër ekipit katalanas.

“De Jong duhet të marrë në konsideratë marrjen e masave ligjore kundër Barcelonës dhe të gjithë lojtarët duhet të qëndrojnë pas tij. Kur një klub që shpenzon shuma të mëdha për lojtarë të rinj pa paguar plotësisht ata që janë nën kontratë është imorale dhe një shkelje. FIFPRO (Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Futbollistëve) duhet të reagojë.”

Nevill nuk është dakord që Barcelona i bën presion holandezit de Jong që të ulë pagën ose ndryshe të pranojë shitjen. Largimi i mesfushorit do të ishte një çështje ekonomike dhe jo sportive, pasi skuadra katalanase do t’i duhet t’i paguajë një shumë të madhe parash holandezit për katër sezonet që i kanë mbetur në kontratë.

Pak ditë më parë presidenti i Barçës foli për shitjen e mundshme të mesfushorit: “Ai është lojtari ynë, na pëlqen shumë. Kemi marrë disa oferta për Frenkie-n, por nuk po i pranojmë për momentin, duam të flasim për të gjetur saktësisht se çfarë dëshiron. Ne duhet të sqarojmë disa aspekte të situatës së tij.”

Të premten e kaluar, Gary Neville nuk i kurseu kritikat për “blaugranat”:

“Është një klub i dëshpëruar me një borxh prej 1.3 miliard eurosh që shet futbollistët më të mirë për t’i shpenzuar për lojtarët të tjerë me “shpresën” se ia vlejnë. Është si të hedhësh zarët, pra të luash me fatin.”

Top Channel