Flet dietologia që shpëtoi karrierën e Carvajal dhe Rodrygo: I mësova perimet dhe peshkun!

20/07/2022 18:14

Një klub i madh gjithnjë mendon edhe për detajet më të vogla në mënyrë që të marrë gjithnjë maksimumin nga lojtarët në fushë e për rrjedhojë të garantojë suksesin në arenat më të rëndësishme europiane.

Aq më tepër kur klubi quhet Real Madrid, përmirësimi në detaje bëhet edhe më i nevojshëm teksa së fundmi kemi parë se si yjet e madrilenëve stërviten me maska të cilat më pas japin të dhëna mbi gjendjen fizike për të ndihmuar stafin teknik të kuptojë diferencat në organikën e futbollistëve.

Së fundmi, një tjetër detaj që tregon shumë për profesionalizmin që rrethon ambientin e Los Blancos ka të bëjë me dietologen e klubit, Itziar González de Arriba.

Kjo e fundit cilësohet si njeriu që i shpëtoi karrierën Dani Carvajal me spanjollin që vuante dëmtimet e shumta, por pas ndryshimit të dietës u rikthye në formën më të mirë dhe muskujt e tij fituan imunitet ndërsa një tjetër lojtar që ka marrë rezultate të shkëlqyera nga këshillat ushqimore të Itziar është edhe Rodrygo.

Itziar, e cila ndër të tjera është edhe fizioterapiste ka shpjeguar në një intervistë të fundit këshillat për Carvajal e Rodrygo.

“Carvajal dhe Rodrygo ma bënë shumë të lehtë punën sepse kërkonin të përmirësoheshin dhe u treguan profesionistë të vërtetë. Duhet të falenderoj edhe skuadrën mjekësore të Real Madrid që më mbështetën në punën time dhe kjo bëri që futbollistët të më besonin. Sepse në punën time është shumë e rëndësishme që futbollistët të më besojnë dhe të ndjekin në mënyrë rigoroze këshillat e mia. E di që është e vështirë për ata, ashtu është edhe për pjesën tjetër të njerëzve, askujt nuk i pëlqen të heqë dorë nga konsumimi i ushqimit që pëlqen. Por, ata nga fillimi treguan gatishmërinë për të sakrifikuar.

Dieta nuk është gjithçka, por ajo ndikon shumë te persona të veçantë. Ata nuk ushqeheshin keq dhe ishin munduar gjithnjë të ruheshin nga ushqimet e këqija, por kishin disa vese që ndikon drejtpërdrejt në muskulaturën e tyre. Në fillimi pata vështirësi me Carvajal sepse ai nuk po mundej të konsumonte atë çfarë unë i sugjerova dhe bëra diçka që nuk ia kam bërë edhe fëmijëve të mi; Nisa ta pyesja çdo ditë në telefon nëse kishte ngrënë apo jo. I sigurova se nëse konsumonte karbohidrate, atëherë do të humbiste peshë dhe do të fitonte muskuj, pas një muaj ai ishte shumë i lumtur.

Ndërkohë, për Rodrygon ishte pak më ndryshe. Atij duhej t’i mësoja që të ushqehej me perime dhe peshk. Ndonjëherë më vinte keq për ta sepse vuanin, por në fund ndihesha krenare. Nuk e prisja që ata të më falenderonin në fund, por e bënë këtë. Duke parë që Real është një super skuadër, ndihem e lumtur që edhe unë kam kontribuar fare pak në sukesin e tyre”, u shpreh Itziar./ SuperSport

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA