Fqinjët janë shprehur të pikëlluar për vdekjen e 18-vjeçarit Anri Kashiku një ditë më parë, pasi shpëtoi nga mbytja vëllanë dhe mikun e tij.
Në fshat e konsiderojnë hero, pasi jo vetëm shpëtoi dy jetë, por ruajti një familje nga shuarja. Njëri nga të miturit që shpëtoi ishte fëmijë i vetëm.
”Ka bërë një heroizëm shumë të madh. Ka shpëtuar vëllain e vet dhe një djalë tjetër. Ai tjetri ishte djalë i vetëm, as motër, as vëlla. Nënën e kishte jashtë shtetit që punon dhe babanë në punë. Medet për jetën e tij”, thotë një e afërme e familjes.
18-vjeçari do të përcillet pasditen e sotme për në banesën e fundit.
Mes dhembjes dhe hidhërimit të afërm e bashkëfshatarë kanë mbërritur pranë familjes e cila ka çelur dyert e mortit.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasdrekën e një dite më parë në plazhin Sektor Rinia të Durrësit.
Gjëma që e goditi familjen e ktheu nga Anglia të atin që jetonte dhe punonte atje prej disa vitesh për të siguruar të ardhmen e tre fëmijëve dhe gruas në atdhe.
Anri ishte djali i madh i familjes Kashiku që disa vite më parë u shpërngul nga Librazhdi në periferi të Durrësit, në lagjen ”Mirdita” të Sektorit Rinia.
Në emigracion i ati e konsideronte Anrin shtyllën e shtëpisë. Të gjithë e njohin si një djalë të mbarë, të përgjegjshëm dhe të apasionuar pas futbollit.
Top Channel