Gafë qesharake nga UEFA, “fshijnë” klubin gjerman dhe e ngatërrojnë me Romën!

14/07/2022 21:27

Gabime bëjnë të gjithë, dhe UEFA nuk bën përjashtim nga ky rregull i pashkruar.

Së fundmi, organizata më e lartë e futbollit europian ka bërë një ngatërresë qesharake teksa ka nxjerrë në shitje biletat për Superkupën e Europës mes Real Madrid dhe Romës.

Problemi? Superkupa e Europës luhet mes fitueses së Champions League dhe asaj të Europa League, e deri te Real Madrid UEFA është në rregull pasi ishin pikërisht madrilenët që triumfuan në finalen e Parisit ndaj Liverpool. Por, përballë spanjollëve nuk mund të jetë Roma, pasi italianët ishin fituesit e Conference League, një trofe të cilin e ngritën lart në qiellin e Tiranë ku mposhtën 1-0 Feyenoord. Kështu, në vend të Romës do të duhej të ishte Eintracht Frankfurt.

Klubi gjerman triumfoi në Europa League ku mposhti në finale Rangers falë goditjes së penalltive pasi koha e rregullt dhe ajo shtesë u mbyllën në barazim 1-1. Ndaj, gafa e UEFA-s është shpërndarë kudo dhe është bërë objekt tallje në rrjetet sociale. Sakaq, finalja e Superkupës do të zhvillohet në Finlandë më datën 10 gusht mes Real Madrid dhe Eintracht Frankfurt me biletat që dalin në shitje duke nisur nga data 19 korrik.

Top Channel