Tirana zhgënjen ndaj Dudelange, humb edhe në “Air Albania”! Në Conference League e pret Zrinjski

12/07/2022 22:02

Tirana eliminohet që në raundin e parë të Champions League.

Pavarësisht se kishin krijuar pritshmëri të lartë, bardheblutë nuk ia dolën të përmbysnin humbjen e ndeshjes së parë (1-0) në Luksemburg. Madje bardheblutë pësuan disfatë edhe në “Air Albania” me rezultatin 1-2. Në fakt, skuadra e Shehit ishte shumë kërkuese në minutat e para, duke iu afrua golit fillimisht me Seferin e më pas me Devid.

Mundësitë e pashfrytëzuara peshuan shumë në vijim të lojës, ndërsa në fillim të pjesës së dytë Dudelange zhbllokoi takimin me Bojic, me një goditje nga jashtë zonës. Goditja më e madhe erdhi në minutën e 61-të, kur Sinani shënoi të dytin për miqtë. Tirana shënoi një gol shprese me Xhixhën në të 78-tën, por asgjë më shumë, në raundin e dytë të Champions League vijon Dudelange, pasi triumfoi me rezultat të përgjithshëm 3-1. Tirana do të vijojë përvojën europiane në raundin e dytë të Conference League, ku do të ketë përballë Zrinjskin (21 dhe 28 korrik).

Tirana – Dudelange 0-2 (Xhixha 78’/ Bojic 49′, Sinani 61′)

90+7′ – Morren për pak shënon të tretin për Dudelange, topi përfundon mbi tra.

90′- Në fundin e sfidës, ndeshja u ndërpre për disa minuta për shkak të hedhjes së tymueseve apo sendeve të tjera në fushë nga tifozët bardheblu.

84′- Me fat Tirana, goditja me kokë e Da Cruz përfundon në traversë.

78′ – Gooooool! Redon Xhixha shpërthen nga e majta dhe përballë portierit shënon për Tiranën, 1-2.

67′ – Seferi godet në pozicion të prirët, por jashtë.

61′ – Tronditet Tirana, Sinani realizon golin e dytë për Dudelange, tani Tiranës i duhet një mrekulli.

49′ – Zhbllokohet sfida në “Air Albania”, Bojic befason Bekajn nga jashtë zonës, 0-1.

47′ – Pjesa e dytë me rast për Dudelange, Sinani shumë pranë golit, godet jashtë.

45+4′ – Pjesa e parë mbyllet më një goditje të Xhixhës, që gjithsesi, ishte në pozicion jashtë loje.

33′ – Aksion i gjatë i Tiranës, Totre provon nga distanca, por gjuajtja e tij është qendrore.

21′ – Nuk përmbahet Tiranë, me Devid që shkarkon të djathtën nga jashtë zonës, por pa shënjestrën e duhur.

19′ – Aleksi pason shumë bukur për Xhixhën, që i largohet topi më shumë se ç’duhet nga këmbët.

16’ – Tjetër rast për Tiranën, Devid shumë pranë portës, nuk koordinohet si duhet në goditje, topi përfundon në shtyllë.

9′ – Kundërsulm i shpejtë i Tiranës, Seferi përballë portierit, prirët me portën, nuk arrin të shënojë.

7′- Pasiguri në mbrojtjen e Tiranës, përfiton Sinani që godet në hyrje të zonës, pret Bekaj

Top Channel