Mesjava europiane e ekipeve shqiptare, të gjitha ndeshjet që transmetohen në SuperSport

11/07/2022 16:18

Laçi nuk shkoi më shumë se barazimi i bardhë në takimin e parë të raundit të parë në Conference League përballë ekipit malazez të Iskras.

Bardhezinjtë dominuan kundërshtarin në “Elbasan Arena”, por gola nuk pati. Të enjten zhvillohet sfida e kthimit në “DG Arena” të Podgoricës” (21:00), aty ku djemtë e Shpëtim Duros do të synojnë fitoren dhe kalimin në raundin tjetër.

Përballja e nënkampionëve të Shqipërisë do të transmetohet në SuperSport, njësoj si takimi i parë. Ndeshja do të fillojë në orën 21:00 të ditë së enjte (14 korrik). Në kanalet e SuperSport do të transmetohen edhe përballjet Tirana-Dudelange (0-1). Bardheblutë e Shehit sfidojnë kampionët e Luksemburgut në të martën (12 korrik) në “Air Albania” (20:00) me misionin përmbysje dhe kualifikim në raundin e dytë të Champions League.

SuperSport do të sjellë edhe duelin Aarat (Armeni)-Shkëndija për gjithë tifozët e zjarrtë të kuqezinjve nga Tetova. Ekipi shqiptar fitoi 2-0 duelin e parë në Shkup, ndërkohë që të enjten (17:00) do të kërkojë mbylljen e llogarive dhe kalimin në raundin e dytë të Conference League.

Ndërkohë SuperSport ka siguruar edhe ekskluzivitetin e ndeshjes së kthimit Liepaja (Letoni)-Gjilani, e vlefshme për raundin e parë të Conference League. “Skifterat” e Zekirija Ramadanit fituan 1-0 duelin e parë, teksa përballja e kthimit është planifikuar të luhet më 14 korrik në “Daugavas Stadion”, në Letoni.

Shkupi sërish në ekranin e SuperSport. Kampionët e Maqedonisë së Veriut hodhën një hap të sigurt drejt kalimit në raundin e dytë të Champions League pas suksesit 3-0 në shtëpi ndaj Lincoln Red Imps (Gjibraltar). Të martën (12 korrik) luhet në transfertë, takim që fillon prej orës 18:00.

Jo vetëm kaq, pasi SuperSport do të transmetojë ekskluzivisht edhe ndeshjen e kthimit midis Ballkanit dhe Zalgiris (Lituani), e vlefshme për raundin e parë të Champions League. Takimi i parë mes tyre u mbyll me barazimin 1-1, me golin që për kampionët e Kosovës e realizoi Nazmi Gripshi. Kampionët dardanë do tentojnë kualifikimin në transfertë. Sfida do të luhet të martën (12 korrik), duke nisur prej orës 18:00./ Supersport

Top Channel