VIDEO/ Në Brazil “lind” Ronaldo i ri, elozhe nga Scolari/ Real Madrid në “Pole Position” për talentin!

09/07/2022 10:19

Bota e futbollit i është gëzuar pa masë një talenti si Ronaldo Luis Nazario de Lima, të njohur ndryshe si Fenomeni. Ronaldo shkroi histori prej momentit kur shkeli në një fushë futbolli nga Cruzeiro në vendlindje, e deri te aventurat në Europë me PSV, Barcelonën, Interin, Real Madrid apo Milan.

Shumë thonë se një talent i tillë nuk lind sërish, megjithatë në Brazil, janë dëshmitarë të një tjetër talenti që ashtu si Fenomeni po shkëlqen në një moshë fare të re, vetëm 17-vjeç.

Fjala është për Vitor Roque, që aktualisht është pjesë e Athletico Paranaense. Sulmuesi është shndërruar në lojtarin më të ri të Athleticos që shënon në një ndeshje të Copa Libertadores apo të ligës. Klubi i Athletico shpenzoi plot 4.4 milionë euro për ta transferuar nga Cruzeiro. Pikërisht, te ish-klubi i Ronaldos, Vitor mori për herë të parë vëmendjen aty ku ashtu si Fenomeni debutoi në moshën 16-vjeçare duke shënuar gol. Mënyra se si mbërriti te Cruzeiro (pronar i këtij klubi është pikërisht Ronaldo) shkaktoi shumë trazira duke qenë se Vitor u shkëput nga akademia e America MG në moshën 10-vjeçare. Këta të fundit akuzuan Cruzeiron se kishte bërë presion mbi një fëmijë, megjithatë në fund Cruzeiro i gëzoi cilësitë e djaloshit deri në prill të vitit 2022 kur Athletico mori pronësinë e Vitor.

Për Vitor vijnë fjalë të mëdha nga Luis Felipe Scolari, trajneri aktual i Athleticos Paranaense. Scolari që ka trajnuar edhe Ronaldo Fenomenin në të kaluarën, thekson se Vitor është një lojtar nga i cili Brazili do të marrë shumë kënaqësi.

“Çfarëdo që t’i kërkojmë, Vitor arrin ta realizojë. Megjithatë, pozicioni ideal për të është qendra e sulmit si një numër 9 i vërtetë. Është shumë i zoti në lojën në zonë, gjen hapësirë gjithnjë. Por di shumë mirë edhe të ndihmojë në aspekte të tjera. Është një numër 9 shumë i fortë dhe një mbrojtës nuk do të dëshironte kurrë të mbronte kundër tij. Do të rritet shumë dhe është një lojtar nga i cili Brazili do të marrë shumë kënaqësi”, u shpreh Scolari.

Sakaq, në Europë që janë gjithnjë shumë të vëmendshëm mbi talentët nga Amerika-latine, kanë nisur interesimet e para për Vitor. Megjithatë, garën e udhëheq Real Madrid teksa talenti ëndërron që një ditë ashtu si idhulli i tij, Ronaldo, të mund të shkëlqejë në stadiumin Santiago Bernabeu.

Top Channel