Aksion kundër strukturave ilegale serbe në Kosovë, largohen kamerat ilegale në Shtërpcë

07/07/2022 09:51

Me urdhër të Gjykatës Themelore të Ferizajt, Policia e Kosovës po kryen një aksion për të sekuestruar kamera të sigurisë të vendosura nga strukturat ilegale serbe në Komunën e Shtërpcës.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se aksioni është duke u zhvilluar në katër lokacione në këtë komunë, përfshirë edhe në objektin e komunës së strukturave ilegale serbe.

“Jemi duke e zbatuar një urdhëresë të gjykatës për kontrollin dhe sekuestrimin e gjësendeve që janë në objektin e komunës së strukturave ilegale dhe në tri lokacione të tjera, ku dyshohet se janë të vendosura pajisjet për monitorim të këtyre kamerave të sigurisë që janë vendosur në komunë, në rrugë publike nga strukturat ilegale. Vetëm ato që janë të vendosura nga strukturat ilegale e edhe kamerat që janë të vendosura nga institucionet tona publike”, tha ai.

Ky rast, sipas Malokut, nuk është i lidhur me rastin “Brezovica”, që ka të bëjë me keqpërdorimet në dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrën turistike të Brezovicës.
E vetmja lidhje, sipas tij, është se ish-kryetari i Komunës, Bratislav Nikoliq, ka qenë edhe koordinator i strukturave ilegale në këtë komunë.

“Ky aksion është ndërlidhur me rastin ‘Brezovica’ pasi që ish-kryetari i Komunës [së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç ka qenë edhe koordinatori i strukturave ilegale. Megjithatë, është rast i veçantë, meqë nuk ka të bëjë me ndërtimet atje. Mirëpo, është ndërlidhur vetëm për shkak të personit kryesor që ka qenë edhe kryetar i këtyre strukturave ilegale. Por, këto janë organe jokushtetuese, për këtë arsye kemi ndërmarrë edhe këtë që t’i mbyllim dhe t’i sekuestrojmë të gjitha pajisjet edhe dokumentacionin në bazë të të cilëve kanë operuar”, tha Maloku.

Top Channel