Tensionet në protestën para Kuvendit të Kosovës, shoqërohet një protestues, dyshohet se hodhi lëndët piroteknike

05/10/2026 16:04

Protesta para Kuvendit të Kosovës është tensionuar gjatë zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme plenare, ku deputetët po diskutojnë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Policia e Kosovës ka konfirmuar shoqërimin e një protestuesi, i cili dyshohet se ka hedhur mjete piroteknike në drejtim të objektit të Kuvendit.

Sipas raportimit të gazetares së Top Channel, Leonita Bajrami, situata është ashpërsuar gjatë fjalimeve të deputetëve, ndërsa protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të godinës së Kuvendit.

Protesta është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në mbështetje të ndryshimeve të propozuara në ligjin që lidhet me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Ndërkohë, brenda Kuvendit vijon seanca plenare, ku deputetët po shqyrtojnë projektligjin. Më herët, projektligji është miratuar nga Komisioni për Legjislacion me 9 vota pro dhe asnjë kundër.

Tensionet janë shtuar në momentin kur deputetët kanë nisur diskutimet në sallën plenare, ndërsa jashtë godinës protesta vijon nën masa të shtuara sigurie.

Policia e Kosovës pritet të japë më shumë detaje lidhur me shoqërimin e protestuesit dhe zhvillimet e tjera gjatë protestës.

Top Channel