Fiks Fare bëri një vëzhgim në disa nga plazhet më të frekuentuara në Shqipëri, duke filluar nga Velipoja, Durrësi, Golemi apo plazhe në Jug të Shqipërisë.
Pushuesit dhe banorët ankohen për prani të mushkonjave, të cilat këtë vit ende nuk janë spërkatur. Me kërkesë të Institutit të Shëndetit Publik, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara ka hapur një tender me disa lote, por procedurat janë zvarritur e zvarritur. Fondi për mushkonjat është 79,238,120 lekë pa TVSH, ose me TVSH rreth 800 mijë euro, por ende nuk është shpallur fituesi. Në dokumentet e vetë ISHP-së shkruhet se spërkatja duhet të kishte filluar në fillim të prillit. Po vjen korriku dhe s’ka filluar ende. Nga ana tjetër, Bashkia e Divjakës ka akorduar 11.2 milionë lekë të rinj, për spërkatjen, duke mbivendosur edhe tenderët, por që edhe në atë zonë, pushuesit ankohen për prani të mushkonjave.
Temperaturat e larta kanë sjellë dyndje në plazhet e Shqipërisë. Pushues të huaj dhe shqiptarë kanë “pushtuar” kryesisht zonat bregdetare, duke filluar nga Velipoja për të përfunduar në Ksamil. Zyrtarët lokalë dhe qendrorë kanë filluar të bëjnë krahasimet e para, duke treguar shifrat sa është vizituar ky e ai vend. Por, në këto zona, kanë filluar edhe problemet e para, si pasojë e burokracive. Fiks Fare bëri një vëzhgim për praninë e mushkonjave në disa plazhe të Shqipërisë, duke filluar pikërisht nga Velipoja. Pushuesit, kryesisht nga Kosova, ankohen për prani të insekteve bezdisës. “Unë jam agronom. Duhet të kishte filluar spërkatja. Me to ‘luftohet’ përherë” thotë një pushues, ndërkohë të tjerë pohojnë se janë disa zona ku nuk është vënë dorë dhe gjithçka është lënë në mëshirë të natyrës.
Por, si është situata në plazhet e tjera, duke filluar nga zonat më të frekuentuara nga pushuesit, plazhi i Durrësit, plazhi i Golemi etj. Edhe në këto zona, banorët ankohen për prani të insekteve bezdisës. “Në mbrëmje vërshojnë. Kemi marrë masat mbrojtëse, por edhe shteti duhet të ishte kujtuar” thonë ata, ndërkohë të tjerë pohojnë se deri më tani s’kanë parë asnjë mjet që mund t’i spërkasë. Fiks Fare bisedoi me z.Alfred Dhuli, Drejtorin e Ndërmarrjes Komunale në Plazh. Ai tha se Bashkia e Durrësit ka bërë një tender për spërkatjen e plazhit, por tani janë në pritje të tenderit të madh.
Por, kush duhet t’a luftojë këtë insekt, prania e të cilit shpesh herë ka sjellë braktisjen e zonave bregdetare?! Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë kanë bërë në të kaluarën tendera për spërkatjen kundër mushkonjave, apo siç e quajnë “dezinsektim të zonave bregdetare dhe urbane”. Janë akorduar qindra milionë lekë për spërkatjen kryesisht të zonave bregdetare, por që ka pasur ankesa të shumta nga banorët dhe pushuesit.
Në pjesën e parë, pushuesit dhe banorët treguan se edhe në vitin 2022, janë të njëjta problematika. Por, a ka filluar spërkatja apo dezinsektimi? Dhe, sa para’ janë akorduar nga buxheti I shtetit? Fiks Fare ka siguruar dokumentet e tenderit që ka hapur Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Sipas një dokumenti, procedurat janë hapur në APP në datën 22 prill 2022. Sipas saj, objekti i tenderit është “shërbim dezinsektimi” i ndarë në 4 lote. Loti i parë parashikonte “shërbim dezinsektimi në zonat bregdetare dhe urbane, Qarqet Shkodër, Lezhë”. I dyti dezinsektimin në qarqet Tiranë Durrës, i treti në Qarkun Fier dhe i katërti në qarkun Vlorë. Fondi, i të katërt loteve, është 79.238.120 lekë pa TVSH, ose me TVSh rreth 800 mijë euro.
Në dokument shkruhet se afati i fundit për paraqitjen dhe hapjen e ofertave ka qenë data 26 maj 2022, por kur jemi në fillim të muajit korrik 2022, fituesi ende nuk është shpallur. Për pasojë, zonat të cilat duhet të spërkateshin, janë nën “pushtetin” e mushkonjave. Fiksi siguroi edhe dokumentet shoqëruese, ku shkruhet se marrëveshja është 24 mujore, ku parashikohet se duhen spërkatur zonat nga Shkodra e deri në Ksamil, duke përfshirë të gjithë zonën bregdetare dhe disa zona urbane si në Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë. Ndërkohë, parashikohej në lotin 4 edhe spërkatja në plazhet e Jugut të Shqipërisë, madje edhe zona urbane e Sarandës dhe Parku Kombëtar i Butrintit, dhe zonat përreth tij në Vrinë.
Fiksi shfletoi dokumentet e publikuara nga vetë institucionet shtetërore, ku shkruhet se “procesi i dezinsektimit të mushkonjave që do të zbatohet në 2022-2023 do të bazohet në një program parandalimi dhe kontrolli, i cili synon uljen e dendësisë së mushkonjave në zonat e përzgjedhura nëpërmjet kontrollit të larvave”. Sipas tyre, do të trajtohen sipërfaqe ku do të gjenden vatra pozitive për praninë e larvave të mushkonjave në zona urbane hapësira publike dhe private, në laguna, parqe kombëtare dhe publike, kanale, moçale, puseta, bodrume dhe gropa septike.
ISHP shkruan se në zonat urbane shqetësim përbën edhe mushkonja tigër. Sipas saj, në bazë të monitorimeve entomologjike të kryera deri tani me anë të kurtheve “ovitrap” mushkonja tigër është e pranishme me popullata e mirë-stabilizuara në Tiranë dhe gjithë zonën bregdetare nga Maji deri në Tetor. Pra, duke filluar nga muaji maj! Por, a nuk jemi në fillim të korrikut dhe ende s’ka filluar spërkatja?! Ja çfarë shkruan ISHP-ja; Në ligatinat e zonave bregdetare llojet shqetësuese që mësyjnë në perëndim të diellit nga monitorimet entomologjike të deritanishme kanë rezultuar disa lloje mushkonjash, që mund të zhvendosen në distancë nga 20-40 km. Në disa zona si Gjiri i Lalzit, Divjakë, Darëzezë, Gjiri i Manastirit, Butrint janë gjetur mushkonja Anopheles, vektorë të malaries, ndër të cilat An. sacharovi ka qenë vektori kryesor kompetent për transmetimin e malaries në vendin tonë.
Pra, në mungesë të një dezinsektimi të hershëm, shqiptarët janë të rrezikuar edhe nga përhapja e malaries! Por, kur duhen spërkatur?! “Procesi i dezinsektimit të mushkonjave i pritshëm bazuar edhe në eksperiencat e mëparshme zhvillohet zakonisht nga muaji Prill/Maj deri në Shtator/Tetor” shkruan ISHP-ja!
Megjithatë, siç e shkruam edhe më sipër, spërkatja jo vetëm që s’ka filluar, por nuk ka asnjë shenjë nga procedurat e tenderit. Burokracitë kanë sjellë që pushuesit, përveçse të beydisen nga mushkonjat, të rrezikohen edhe nga sëmundje që përhapen me lehtësi. Fiks Fare u interesua në Institutin e Shëndetit Publik, institucion i cili ka bërë tenderat në të kaluarën dhe duhet të përgatiste dokumentet e tenderit të shpallur nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara. Gazetarët e Fiks Fare kontaktuan me drejtoreshën e ISHP-së, zonjën Eugena Tomini, e cila thotë se ISHP-ja i ka bërë procedurat në kohë, i ka dërguar dokumentet Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara dhe tani janë në fazën e tenderit. Sipas saj, tenderi ka disa procedura prandaj është zgjatur në kohë.
Megjithëse në tenderin 800 mijë eurosh është parashikuar edhe spërkatja e zonave urbane dhe bregdetare në Divjakë, bashkia e atij qyteti, ka përshpejtuar një tender tjetër dhe ka akorduar 11.2 milionë lekë për dezinsektimin e asaj zone. Por, pavarësisht se janë hedhur këto para’, sërish pushuesit dhe banorët ankohen për praninë e mushkonjave. “Ka prani të madhe të mushkonjave. Nuk kemi parë njeri që t’i spërkasë” thonë pushuesit, të cilët edhe këtë vit, megjithëse është akorduar një shumë e madhe parash, janë ende në “luftë” me mushkonjat.
Top Channel