Flamingot morën fitoren e parë me rezolutën e PE? Rama: U keqinformuan nga sorrat e korbat, amendamenti s’ka lidhje me Zvërnecin, por me Nartën

18/06/2026 14:36

Në një reagim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama thotë se amendamenti i miratuar nga europarlamentarët nuk ka lidhje me Zvërnecin dhe peizazhin e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, por me zonën e mbrojtur Nartë-Vjosë.

Kreu i qeverisë shtoi se ata që e kanë cilësuar rezolutën si fitore janë keqinformuar për përmbajtjen e amendamentit të miratuar.

Reagimi i plotë:

Disa tam-tamxhinj me emër që kujtuan se u bë deti kos për lugët e tyre të ndryshkura, u thonë flamingove se rezoluta e djeshme e Parlamentit Europian na qenkej fitorja e tyre e parë!

Në fakt e vërteta është se flamingot fitoren e kanë pasur në xhep pa nisur protesta, pavarësisht se nuk duan ta shohin pasi po shijojnë sfilatën e bukur në bulevard mes sorrave, korbave e llapaqorrave, sepse sa të jemi unë dhe Partia Socialiste mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi në harmoni me natyrën në zonat me ndjeshmëri të veçantë, është prioritet i padiskuteshë.

Sa për “fitoren” e parë janë të keqinformuar nga sorrat dhe korbat, sepse amendamenti i “fitores” u rrëzua, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ka asnjë lidhje me Zvërnecin, pra me pejsazhin e mbrojtur Pishë Poro – Nartë, po shprehimisht me zonën e mbrojtur Nartë – Vjosë ku qeveria ndan absolutisht të njëjtin qëndrim me europarlamentarët. Dhe kjo nuk është lojë fjalësh me emra vendesh, po është e vërteta e fakteve që burojnë nga dokumentacioni teknik zyrtar, jo nga kanalet sociale.

Ndërsa lidhur me rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, europarlamentarët do të informohen se ai është pjesë e agjendës së negociatave dhe si i tillë do të jetë fillimisht në një proces analitik me Komisionin, ku do të identifikojmë çdo pikë që nuk përputhet me kriteret e standartet e BE-së.

Thënë sa më lart, rishikimi i konceptit “fitore” do të ndihmonte sidomos VIP-at e rënë nga vaktet politike dhe ata të fryrët me botokse llajkesh e follouersash, që pas përshirjesh me epsh në nxitjen e histerisë digjitale, të gatiteshin për një zgjim pa dhimbje të papërballueshme zhgënjimi nga fundi i revolucionit imagjinar

Top Channel