45 milionë paund për një “luftëtar”, City gjen zëvendësuesin e Fernandinhos

02/07/2022 13:21

Kalvin Phillips mund të quhet lojtari më i ri i Manchester City.

Disa klube të mëdha interesoheshin për shërbimet e tij, mes tyre edhe Manchester United, por Phillips donte vetëm kampionët e Anglisë. Ai refuzoi dy oferta të rëndësishme për të luajtur me skuadrën e Pep Guardiolës, dhe ashtu do të ndodhë.

“Cityzens” kanë gjetur marrëveshjen me Leeds United mbi bazën e 45 milionë paundëve. Tani pritet vetëm zyrtarizimi i akordit. Ndërkohë, “luftëtari” i mesfushës ka kryer testet mjekësore, të cilat i ka kaluar me sukses.

Një lajm i mirë për Guardiolën, i cili siguron një “xhol” (Phillips luan edhe si qendërmbrojtës e qendërmesfushor) dhe gjen pasardhësin e zëvendësuesin e brazilianit Fernandinho. Ky i fundit i dha fund aventurës 9-vjeçare me Manchester City dhe u rikthye tek Athletico Paranaense.

Sipas SuperSport dy klubet kanë rënë dakord edhe në lidhje me Dark Gyabi, i cili do të kalojë te Leeds United për 5 milionë paundë. 18-vjeçari me origjinë nga Gana aktivizohet në qendër të mesit të fushës dhe është pjesë e Anglisë U18.

Top Channel