Shtetet e Bashkuara do të ndryshojnë strategjinë ushtarake në Europë, e pohuar kjo nga vetë presidenti Joe Biden në samitin e NATO-s në Madrid, ku theksoi se pas pushtimit rus të Ukrainës, Amerika po përmirëson qëndrimin e saj në raport me forcat e vendosura në kontinentin e vjetër.

Do të ketë një shtim të tyre, tha Biden, që nenvizoi se “NATO është e fortë dhe e bashkuar dhe hapat që po ndërmarrim gjatë këtij samiti, forca kolektive do të rritet akoma edhe më tej.

Po njoftoj sot se Shtetet e Bashkuara do të përmirësojnë situatën e forcave tona në Europë dhe do t’i përgjigjen mjedisit në ndryshim të sigurisë, si dhe do të forcojnë atë kolektive. SHBA-të po krijojnë një seli të përhershme në Poloni, do dërgojnë dy skuadrilje shtesë avionësh luftarakë F-35 në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të nisin më shumë mbrojtje ajrore e kapacitete të tjera në Gjermani dhe Itali“, tha Biden.

Presidenti sqaroi se ne Poloni, SHBA-ja do të krijojë Korpusin e Pestë të Ushtrisë së saj, dhe do të forcojë ndërveprimin me NATO-n në të gjithë krahun lindor, teksa po rrit dislokimet me rotacion të trupave në rajonin e Balltikut.

Një ditë më parë, ishte po vetë Biden që njoftoi se Amerika do të lërë edhe dy destrojerë shtesë në bazën e saj detare në Rota të Spanjës. Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht më shumë se 100,000 ushtarë të dislokuar në mbarë Europën, 20 mijë prej të cilëve u nisën që pas pushtimit të Ukrainës.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë parashikon që takimet e kësaj jave të NATO-s do të përbëjnë një moment historik sipas tij, pasi siç thotë, liderët janë vendosur të miratojnë një kornizë të re strategjike, të shpallin një sërë hapash për të rritur shpenzimet dhe aftësitë e tyre të mbrojtjes dhe t’i hapin rrugën anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë historikisht neutral, për të cilat pengesa e fundit, ajo e vetos turke, u hoq.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA