Pak ditë pas samitit të “Open Balkan”, që këtë herë u mbajt në Serbi, sot në Prishtinë u mbajt takimi mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Kryeministri Albin Kurti ka këmbëngulur në refuzimin që i bën nismës së “Ballkanit të Hapur”, ndërsa kryeministri shqiptar Edi Rama e ka kritikuar se me këtë zgjedhje, vetëm po humbet. Por, kritikat e bëra në distancë, u harruan këtë të hënë kur dy kryeministrat u takuan në kryeqytetin Kosovar.

Në një diskutim në emisionin “Top Talk” analistët Ilir Yzeiri dhe Milaim Zeka argumentuan se përse tri çështje të mëdha për Kosovën: anëtarësimi në NATO, integrimi në BE dhe ‘Open Balkan’ nuk ishin pjesë e bisedimeve mes dy qeverive.

“Takohet tani Rama me Kurtin në Prishtinë dhe flasin sikur të mos ketë ndodhur asgjë”, thotë Yzeiri.

Ndërsa sipas Zekës, është më mirë që këto çështje madhore të Kosovës të mos diskutohen, pasi do të keqpërdoreshin nga Serbia apo Rusia.

Disa marrëveshje të nënshkruara sot, si kalimi i kufirit nga qytetarët shqiptarë dhe ata të Kosovës në fundjavë dhe në ditë festash kombëtare, pa qenë nevoja e regjistrimit në pikat e policive kufitare apo marrja e nënshtetësisë shqiptare për shtetasit e Kosovës, analistët i cilësojnë të rrezikshme.

“Shqiptarët kanë arritur shumë, për herë të parë po dëgjohet zëri i tyre në Ballkan. Ky padyshim është shekulli i shqiptarëve, por nuk duhet të harrojmë ndihmën e ndërkombëtarëve. Nuk mund të shpërndajmë pasaporta tani dhe të shkrijmë kufirin, duke u bërë sharlatanë. Kosova sido që të jetë ka identitetin e saj. Ne duhet të luftojmë që Kosova kështu siç është, të fitojë dinjitetin si një shtet normal, siç jemi dhe ne”, shprehet Yzeiri.

Sipas tij, nuk e zgjidh problemin njehsimi i pasaportave.

“Mund të jetë një zgjidhje aty për tani. Në mënyrë që nesër, kur ne të jemi në Bashkimin Europian dhe të mos ketë identitet tjetër që mund të na ndajë, të bashkohemi jo për hir të pasaportës, por për hir të faktit që jemi një komb dhe na kanë ndarë padrejtësisht”.

Lirinë e shtetasve të Kosovës për të zgjedhur tashmë nënshtetësinë, gazetari Zeka e vlerëson si anti-Kosovë.

“Është anti-Kosovë sepse qarqet ruso serbe do të thonë në parlamentin europian dhe në Bruksel, ja ku e kanë qëllimin final liderët politikë të Kosovës dhe Shqipërisë. Prandaj është antikosovare, çfarë dreqin na duhen deklarata të tilla, sepse në fund të fundit, kur ne jemi burgosur se kemi parë televizionin shqiptar, sot për dy orë je në bregdetin shqiptar. Kurrë më mirë nuk kemi qenë.

Ajo është marrëveshje për ta zhbërë Kosovën, për të hequr kufijtë dhe Kosova nuk ekziston më. Nuk mund ta zhbësh një komb të tërë, t’i bësh të gjithë shtetas shqiptarë ata. Po pastaj, si do të quhet Kosova? Identitetet janë të përkohshme, ajo që nuk ndryshon është thelbi i atij identiteti”.

Kosova po përdor politikën e viktimizimit dhe kjo është e gabuar, thekson gazetari.

“Nga Kosova do të kisha dashur që retorikën nacionaliste dhe retorikën e viktimës, ta përdorin me kufizim. Të bësh viktimë të ditës, viktimizimin, vetëm sa e rëndon procesin e integrimit. Problemet që Kosova ka me Serbinë t’i zgjidhë pa u ndjerë, pa i bërë politikë të ditës dhe pa u viktimizuar”.

Top Channel