Më e vështirë fshehja e krimeve të luftës në Ukrainë sesa në Bosnjë

18/06/2022 21:07

Ndërsa hetojnë krimet e luftës, zyrtarët ukrainas po përdorin përveç teknologjive moderne, edhe përvojën e fituar nga luftërat e tjera, përfshirë ato gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Ekspertët thonë se dëshmitë sot janë më të vështira për t’u fshehur se sa gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, por do të duhen ende vite për të kryer hetime për krimet dhe kërkime për personat e zhdukur.

Edhe pse kanë kaluar më pak se katër muaj nga fillimi i agresionit rus, Ukraina ka dhënë dënimet e para kundër ushtarëve rusë për krime lufte. Ekspertët nga Bosnja dhe Hercegovina, të cilët kanë përvojë shumëvjeçare në kërkimin e të zhdukurve, hetimin e krimeve të luftës dhe funksionimin e drejtësisë ndërkombëtare, thonë se autoritetet ukrainase kanë ende një punë të mundimshme përpara, që do të marrë vite.

“Ajo që duket e qartë për të gjithë ne, duhet të vërtetohet në gjykatë. Fakti që një granatë ka rënë në një lëndinë dhe ka vrarë dikë, duhet të vërtetohet në gjykatë. Kjo do të thotë se duhet të përcaktohet se nga është hedhur granata, kush është përgjegjës për të, kush e urdhëroi, cili ishte zinxhiri i komandës. Kjo është një disiplinë shumë serioze dhe kërkuese. Çdo gjë tjetër vjen më vonë: nderimi, kujtesa, kultura e kujtimit”, thotë Emir Suljagiç, me Qendrën e Memorialit të Srebrenicës.

Të intervistuarit nga Zëri i Amerikës thonë se prania e teknologjive moderne, që nga telefonat inteligjentë e deri tek imazhet satelitore, e bën më të lehtë për Ukrainën të dokumentojë krimet e luftës.

“Është ndryshe nga Bosnja e viteve ’90, kur ishte shumë më e lehtë për të fshehur provat. Pra, mendoj se me një veprim të koordinuar të autoriteteve të ndryshme, nga prokurorët ukrainas, tek Gjykata Penale Ndërkombëtare, e deri te burime të tjera të ndryshme, që mund të ndihmojnë për të marrë këto prova, ka fakte të mjaftueshme për të vendosur një vijë shumë të qartë midis krimeve, viktimave, autorëve dhe drejtuesve”, thotë Refik Hoxhiç me Institutin Evropian për Paqe.

Sipas OKB-së, që nga fillimi i sulmit rus, janë vrarë më shumë se 4000 civilë në Ukrainë, por ka shqetësime se shifra është shumë më e lartë. Ekspertët thonë se shembulli i Bosnjës tregon se kalimi i kohës është një nga faktorët kryesorë, që ndikon në grumbullimin e provave.

“Është shumë e rëndësishme të përcaktohet sa më shpejt nëse njerëzit janë gjallë, apo jo, nëse janë të burgosur, janë vrarë, janë varrosur, individualisht, apo në varre masive. Është shumë e rëndësishme për sekuencën e mëvonshme të ngjarjeve, për të mbledhur dhe sistemuar këtë informacion, për të krijuar një bazë të dhënash, që do të mundësojë një kërkim të përshpejtuar për të zhdukurit në periudhën e pasluftës, si dhe gjetjen e vendeve të varrezave masive dhe zhvarrosjen e viktimave”, thotë Amor Masoviç ish kreu i Institutit për Personat e Zhdukur në Bosnje Hercegovinë.

“Nëse nuk je në vendngjarje menjëherë, pas kryerjes së krimit, kjo është pengesa e parë. Një tjetër pengesë mund të jenë hapat e planifikuar dhe të qëllimshëm, që forcat ruse po ndërmarrin për të mbuluar krimet, që kanë kryer. Një tjetër pengesë janë dëshmitarët. Nuk e dimë nëse ka dëshmitarë. Dëshmitë bëhen gjithnjë e më të pasigurta me kalimin e kohës, është më e lehtë t’u ndryshosh mendjen njerëzve, ose t’i diskreditosh”, thotë Emir Suljagiç drejtor me Qendrën për Memorialin e Srebrenicës.

Kryeprokurorja e Ukrainës, Iryna Venediktova, tha së fundmi se ka identifikuar më shumë se 600 rusë të dyshuar për krime lufte, ndërsa ndjekjet penale kanë filluar tashmë për 80 të dyshuar. Rusia ka mohuar të ketë shënjestruar civilët. Shumë vende evropiane, si Polonia, Sllovakia, si dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare, po ndihmojnë hetuesit ukrainas, ndërkohë që ka diskutime për krijimin e një gjykate speciale, si ajo për ish-Jugosllavinë.

“Nuk mendoj se do të ketë shumë përfitime nga Gjykata Ndërkombëtare Penale. Jam shumë i bindur se njerëzit do të mbahen përgjegjës sepse u kapën, u arrestuan ose u paditën nga ukrainasit”, thotë Emir Suljagiç, drejtor me Qendrën për Memorialin e Srebrenicës.

Zoti Hoxhiç tha se Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavinë e ka përmbushur misionin e saj në kuptimin se të gjitha paditë kanë arritur rezultate të caktuara dhe se të gjitha rastet janë mbyllur. Megjithatë, ai shton se është humbur një mundësi e madhe.

“Ne patëm shans për t’u përballur realisht me faktet, faktet e vërtetuara në mënyrë mjeko-ligjore, përmes punës së një institucioni të tillë. Sirianët nuk e patën këtë shans kurrë, për shembull, as nuk do ta kenë ndoshta për shkak të rrethanave të ndryshme politike. Fakti që nuk e përdorëm këtë shans, që udhëheqësit tanë politikë iu kthyen politikave të viteve 1990, politikave të dehumanizimit dhe nxitjes së frikës dhe përpjekjeve për të arritur qëllimet e luftës me mënyra të tjera, nuk është përgjegjësi e Tribunalit”.

“Në fund, do të ketë, dhe ne tashmë jemi dëshmitarë të kësaj, mohim të çdo krimi. Në Bosnje, individët që mbështesin kriminelët e luftës kanë shkuar një hap më tej, dhe ndoshta kjo e pret edhe Ukrainën, që në një moment Rusia të lavdërojë kriminelët e saj dhe krimet që kanë kryer”, thotë Amor Masoviç ish kreu i Institutit për Personat e Zhdukur në Bosnje Hercegovinë.

Zoti Hoxhiç tha se përveç ndjekjes penale të personave përgjegjës, gjëja më e rëndësishme për viktimat është krijimi i një konteksti social në të cilin pranohet e vërteta për atë që ka ndodhur.

“Në shoqëritë ku nuk ndodh kështu, siç është shoqëria jonë, ose në situata ku autorët mohojnë apo festojnë hapur krimet, siç është tani rasti me Rusinë në Ukrainë, është e vështirë të pritet që viktimat të ndiejnë se drejtësia është përmbushur , pavarësisht nga rastet gjyqësore”.

Të intervistuarit nga Zëri i Amerikës thanë se rezultati i luftës në Ukrainë do të ndikojë shumë në mundësinë për të kapur të paditurit për krime lufte, por edhe në kërkimin e personave të zhdukur.

“Nëse Rusia nuk tërhiqet nga pjesët e pushtuara, ose nëse këto do të drejtohen nga grupe që mbështesin agresionin rus, kam frikë se Ukraina mund të kalojë dekada duke kërkuar për të zhdukurit”, thotë Amor Masoviç./VOA

Top Channel