Është miratuar ditën e sotme në Parlamentin e Kosovës projektligji për përcaktimin e pagës minimale, që parashikon rritjen e pagave por nuk përfshin rritjen e pensioneve të veteranëve.
Pro këtij ligji ka votuar edhe lista serbe. 68 anëtarë kanë votuar pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime.
Projektligji i miratuar parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.
Ky projektligj, është kundërshtuar nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për shkak të mospërfshirjes së tyre në rritjen e pagës minimale. Ata, për këtë arsye kishin protestuar më 6 qershor para Kuvendit të Kosovës.
Projektligji është kundërshtuar edhe nga partitë opozitare.
Aktualisht, paga minimale në Kosovë është e ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.
Veteranët e UÇK-së kanë protestuar më 6 qershor para Kuvendit të Kosovës, për shkak të mospërfshirjes së pensioneve të tyre në rritjen e pagës minimale.
Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare nga Qeveria e Kosovës, statusin e Veteranit Luftëtar e kanë 53,188 persona, kurse, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 37,006 janë përfitues nga skema për veteranët e luftës.
Kur më 2017 është shfuqizuar neni i Ligjit për veteranët e luftës, i cili parashihte që pensioni i veteranit mos të jetë më i ulët se paga minimale, i njëjti është plotësuar me nenin që parashihte kategorizimin e veteranëve – varësisht nga vitet e angazhuara në UÇK – gjë që deri më tani nuk ka ndodhur.
Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011.
Top Channel