Erdogan ndërpret bisedimet me Greqinë për përplasjet në Egje (fotot)

01/06/2022 19:07

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha sot se nuk do të takohet më me liderët grekë për përplasjet e fundit mbi ishujt dhe hapësirën ajrore në detin Egje.

“Ne nuk do të mbajmë më takime bilaterale me ta,” tha presidenti në një fjalim për grupin e tij parlamentar në Ankara.

“Ne kishim një marrëveshje të këshillit të lartë strategjik me Greqinë, por njoftova dje ministrin e jashtëm se nuk i qëndrojmë më kësaj marrëveshjeje”, shtoi Erdogan.

Marrëveshja e vitit 2010 mes Turqisë e Greqisë garantonte takime të rregullta të nivelit të lartë për zhvillimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Sot duke iu referuar kryeministrit grek Kiriakos Mitsotakis, por pa i përmendur emrin, Erdogan tha: “Ai shkon në SHBA dhe bën komente kundër nesh para Kongresit. Kjo mbaron këtu”.

Turqia ka intensifikuar kritikat e saj ndaj Greqisë që kur Mitsotakis tha muajin e kaluar në Uashington se fluturimet mbi ishujt grekë nga Turqia janë “akt i hapur agresioni”.

Mitsotakis shtonte se këto ndërhyrje shkelin të drejtat territoriale greke, duke përkeqësuar lidhjet mes dy aleatëve të sikletshëm të aleancës së NATOs.
Mediat turke e interpretonin fjalën e kryeministrit grek si një tirrje për të mos i dhënë Turqisë avionët F-16 të kërkuar prej kohësh.

Mitsotakis tha kësaj jave se nuk do të përfshihej në “ping-pong” personal replikash me Erdogan.

“Turqia është ajo që po na kërcënon,” tha greku për gazetarët në Bruksel duke shtuar se Ankaraja “po shpërdoron mundësinë për përmirësimin e lidhjeve”.

FOTO GALERI
2/3
Mitsotakis tha muajin e kaluar në Uashington se fluturimet mbi ishujt grekë nga Turqia janë “akt i hapur agresioni”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA