Të bëni ushtrime fizike është gjithnjë një ide e mirë, por koha se kur ju duhet të ushtroheni për të pasur rezultate pozitive, mund të jetë ndryshe për gratë dhe ndryshe për burrat.

Sipas një studimi, femrat djegin më shumë kalori kur ushtrohen në mëngjes, ndryshe nga meshkujt për të cilët llogaritet se darka është periudha më e mirë.

Ndryshimet hormonale, cikli I gjumit dhe ndryshime të tjera ndikojnë në reagimin e trupit pasi ushtrohemi.

Studimi te 30 burra dhe 26 gra të moshës 25-55 vjeç, të gjithë aktivë dhe të shëndetshëm, zgjati 12 javë periudhë në të cilën u monitoruan efektet e një programi të ndryshëm fitnesi, i cili përfshinte stërvitje, vrap, rezistencë dhe qëndrueshmëri.

Njëri grup u ushtrua për një orë para orës 08:30, ndërsa grupi tjetër ndoqi të njëjtat aktivitete në mbrëmje, nga ora 18:00 deri në 20:00. Të gjithë pjesëmarrësit ndoqën një plan ushqimi të krijuar për ta.

Studiuesit testuan presionin e gjakut dhe yndyrën e trupit të të gjithëve gjatë studimit, si dhe fleksibilitetin, forcën dhe fuqinë aerobike të tyre në fillim dhe në fund.

Të gjithë ata që morën pjesë në studim përmirësuan shëndetin dhe performancën e tyre të përgjithshme gjatë provës 12-javore, pavarësisht se kur ushtruan.

“Koha më e mirë për stërvitje është koha kur ju mundeni, sipas rutinës tuaj”, thotë Dr Paul Arcerio, autori kryesor i studimit. Por ai thekson se koha ideale e ditës për t’u ushtruar është e ndryshme për gratë dhe burrat.

Bazuar në rezultatet e arritura, gratë e interesuara për të reduktuar yndyrën rreth mesit dhe për të ulur presionin e gjakut duhet të merren me aktivitet fizik në mëngjes, thotë Dr Arcerio. Është e nevojshme sepse yndyra e barkut mbështillet rreth organeve të brendshme të trupit, duke përfshirë mëlçinë, dhe mund të jetë e rrezikshme.

Megjithatë, ai thotë se gratë që përpiqen të përmirësojnë forcën e muskujve në pjesën e sipërme të trupit, si dhe disponimin e tyre të përgjithshëm dhe marrjen e ushqimit, duhet të bëjnë ushtrime në mbrëmje.

Burrat në provë ishin më pak të ndjeshëm ndaj kohës së ditës që ushtroheshin, duke përmirësuar forcën e tyre në mëngjes dhe në mbrëmje. Por stërvitja në mbrëmje u zbulua se ishte “ideale për meshkujt e interesuar në përmirësimin e shëndetit të zemrës dhe metabolizmit, si dhe mirëqenien emocionale”, thotë Dr Arcerio.

Nuk është e qartë saktësisht pse përgjigjet e burrave dhe grave ndaj kohës së stërvitjes ishin kaq të ndryshme, dhe studiuesit thonë se nevojiten më shumë kërkime për të zbuluar më shumë. Ata thonë se gratë mund të djegin më shumë yndyrë trupore në mëngjes, sepse ato kanë më shumë gjasa të kenë yndyrë të tepërt në bark.

Burimi: BBC

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA