Statuja gjigante e John Lennon në Penny Lane del në ankand, pritet të shitet deri në 100 mijë paund

19/09/2026 19:08

Një statujë në madhësi reale e John Lennon, e vendosur në Penny Lane të Liverpulit, pritet të shitet për deri në 100 mijë paund në një ankand që do të zhvillohet më 29 shtator.

Skulptura prej bronzi, e krijuar nga artistja e ndjerë Laura Lean, ka qëndruar jashtë Kishës së Apostullit Barnaba që nga gushti i vitit 2022. Pas shitjes, statuja do të zëvendësohet me një kopje të ngjashme.

Sipas BBC, shtëpia e ankandeve Omega e ka vlerësuar skulpturën mes 70 mijë dhe 100 mijë paund.

Statuja, me një lartësi prej gati gjashtë metrash, paraqet John Lennon të mbështetur mbi një shenjë paqeje, ku shkruhet fjala “Imagine”, një prej këngëve më të njohura të ish-anëtarit të Beatles.

Penny Lane u bë e famshme në mbarë botën pas këngës së Beatles me të njëjtin emër, të publikuar në vitin 1967.

Ankandi do të përfshijë edhe objekte të tjera të lidhura me Beatles, mes tyre albume, autografe, kartolina, broshura dhe fotografi.

Statuja u vendos në zonë me mbështetjen e Penny Lane Trust, një organizatë komunitare me bazë në këtë pjesë të Liverpulit. Pas ankandit, një kopje e saj do të vijojë të qëndrojë në vendin ku është ekspozuar që nga viti 2022.

Top Channel