Kryeprokurori i SPAK, Arben Kraja ka kërkuar me urgjencë mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe marrjen e një vendimi prej tyre për të vendosur se çfarë do ndodhë me dy prokurorët e posaçëm Alfred Shehu dhe Elvin Gokaj, karriera e të cilëve u kthye në një çështje gjyqësore nga padia e prokurores Sonila Muhametaj në Gjykaten e Apelit administrativ.

Kjo e fundit vendosi qe KLP të kryejë edhe njëherë pikëzimin e tre konkurrentëve duke vendosur një standard të ri mbi qasjen e Këshillit.

Në vendimin e  gjykatës që është i formës së prerë dhe që ende nuk është zbatuar  urdhërohet anulimi i përzgjedhjes së Shehut dhe Gjokajt në SPAK  dhe për pasojë kthimi dhe njëherë i këtyre dy emrave për t’u vlerësuar përballë prokurores Sonila Muhametaj.

Gjykata vlerësoi se nuk mund ta kryejë ajo pikëzimin pasi nuk mund të marrë rolin e KLP, por theksoi sipas burimeve se këshilli nuk ishte transparent , se mori katër vendime të ngutshme brenda datës 13 dhjetor që sollën skualifikimin e padrejtë me tre pikë të Muhametajt.

Në këtë pikë gjykata konstaton se këshilli nuk ndoqi të njëjtin standard si KLGJ që gjatë pikëzimit të gjyqtarëve të posaçëm , la pesë ditë afat në rast kundërshtimesh.

Jo zyrtarisht KLP thotë se do mblidhet brenda kësaj jave, për të vendosur nëse do kërkojë pezullim vendimi, rekurs, apo do t’i bindet vendimit të Gjykatës së Apelit dhe do të kryejë dhe njëherë vlerësimin e tre kandidatëve për në SPAK.

Prokurorja Sonila Muhametaj gjatë procesit denoncoi se nuk ishte marrë parasysh as karriera dhe as hetimet e kryera prej saj, si dhe hodhi pikëpyetje për dy fituesit që sipas saj u renditën në mënyrë preferenciale nga KLP.

Aktualisht SPAK ka 17 prokurorë dhe precedenti Muhametaj e bën të diskutueshëm qeverinë e prokurorisë.

Top Channel